Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me çështjen e shtrenjtimit të energjisë elektrike në vend.
Në një postim në facebook, Bajrami ka reaguar pas faturave të fundit të energjisë, duke thënë se ato po rëndojnë buxhetin e çdo familjeje kosovare.
“Qytetarët këto ditë po marrin faturat e energjisë elektrike, fatura që po varfëron buxhetin e secilës familje. Tetori s’ka qenë aspak i ftohtë, por secili tashmë brengoset se sa do të jetë fatura në muajt e dimrit”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se gjatë mandatit të tanishëm, çmimi i energjisë elektrike është dyfishuar për familjet dhe trefishuar për bizneset, gjë që sipas saj ka ndikuar në rritjen e përgjithshme të çmimeve në treg.
Deputetja ka njoftuar se në fillim të këtij muaji ka dhënë dëshminë e saj në Prokurorinë Speciale, në lidhje me atë që e quan “mafi energjetike”.
“Ka një lajm të mirë: çështja e energjisë elektrike po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Në fillim të këtij muaji kam dhënë dëshminë time për këtë çështje”, ka përfunduar ajo./IndeksOnline/






