Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ishte i papërmbajtshëm ndaj deputetëve të ish-opozitës pas përfundimit të seancës së dështuar të Kuvendit, ku i etiketojë ata me një term të ri.
Kurti duke vendosur gurthemelin e një pishine gjysmë olimpike në Podujevë vazhdoi me cilësime ndaj deputetët e ish partive opozitare, të cilët nuk po e pranojnë procesin e votimit të fshehtë – duke i quajtur “nomadë”, pasi sipas tij, ata nuk po duan të kenë “shtëpi”.
Për etiketimet e fundit të Kurtit ka reaguar edhe deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ku tha se nuk ndihet e befasuar për deklaratën e fundit të Kurtit, duke thënë se ai jeton në një univers paralel.
Tutje, ajo i tha Lajmi.net se Kurti nuk ka përgjigje për krizën politike e institucionale që e ke krijuar vetë dhe e ka të lehtë të ofendojë të tjerët.
“Deklarimi i deputetit Kurti, ku i quan deputetët e ish opozitës “nomadë”, nuk është aspak befasues për mua, pasi kemi të bëjmë me një njeri që po jeton në një univers paralel dhe e ka marrë peng krejt vendin. Kur nuk ke përgjigje për krizën politike e institucionale që e ke krijuar vetë, më së lehti është të akuzosh e të ofendosh të tjerët”, tha ajo.
Bajrami shton se Kurti mundohet të imponoj votën në mënyrën me jo demokratike dhe se për të dalë nga kjo situatë duhet vullnet politik, madje ajo ia la dhe një porosi kreut të VV-së duke i thënë se vendi nuk qeveriset me ofendime.
“Kuvendin e ka bllokuar Kurti sepse po mundohet të imponoj votën në mënyrën me jo demokratike të mundshme. E vërteta është ne nuk po e bllokojmë Kuvendin, ne po kërkojmë që ai të funksionojë siç duhet. Po kërkojmë të punojmë sipas Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe parimeve të demokracisë. Për të dalë nga kjo situatë, nevojitet vullnet politik dhe respekt për të zgjedhurit e popullit, e mbi të gjitha, respekt për institucionet, jo fjalë fyese dhe pendime me pas duke u arsyetuar se nuk e ka pasë fjalën për këtë apo për atë. Ka ardhur koha që Kurti ta kuptojë se vendi nuk qeveriset me ofendime, por me përgjegjësi dhe bashkëpunim”, tha Bajrami për Lajmi.net.
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kur Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë fituese, ndonëse jo me 50 për qind – Kurti shkoi aq larg sa liderët e partive të tjera i quajti edhe “hajvan”.
“Luftë hibride, me oligarkë që kërcënojnë punëtorë që japin pare pa hesap dhe me opozitë që bën marrëveshje edhe me dreqin kundër nesh. Por sërish kanë humbur dhe do të mbeten opozitë, sepse nuk ia duan të mirën as shtetit dhe as popullit. E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit…e kanë marrë vesh sonte të gjithë ata. Ata e kanë mashtru vetëm veten e tyre”, u shprehte Kurti.
Të mos harrojmë se në zgjedhjet e fundit Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.83% ose 339 mijë e 350 vota. E dyta në renditje ishte PDK me 22,15% ose 184 mijë e 87 vota, e ndjekur nga LDK me 17,59% ose 146 mijë e 241 vota.