Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka akuzuar Qeverinë në detyrë për strukturën buxhetore për këto vjet në raport me nivelin qendror dhe atë lokal. Sipas saj, gjatë implementimit të buxhetit është përkeqësuar gjendja vit pas viti.
Ajo tha se bazuar në serinë kohore të Ministrisë së Financave në gjashtë mujorin e parë të këtij viti shpenzimet buxhetore kapin shumën prej 1,412 miliardë euro, ku prej tyre vetëm 391 milionë janë shpenzimet e komunave, ndërsa pjesa tjetër prej 1,021 miliardë euro janë të nivelit qendror.
“Për këtë gjashtëmujor nga 391 milionë Euro të shpenzuara nga ana e komunave 105 milionë Euro kanë shku në investime kapitale, pra rreth 27% e buxhetit të shpenzuar, por nga gjithsej 1,021 miliardë Euro të shpenzuara në nivelin qendror vetëm 138 milionë Euro kanë shku në investime kapitale ose vetëm 13% e buxhetit të shpenzuar.” – ka shkruar Bajrami në Facebook.
Ajo tutje tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti do të kujtohet për shumë skandale, madje sipas saj nuk do të ketë raste kur dikush do të udhëtojë nëpër Kosovë dhe të thotë se diçka është ndërtuar në kohën e tij.
“Kurti që pesë vjet në pushtet nuk e ka lënë asnjë shënjë pozitive në këtë vend: asnjë rrugë, asnjë urë, asnjë hekurudhë, asnjë kapacitet energjetik – trashegimia e tij qeverisëse është baras me zero. Kurtin do ta kujtojmë për shumë skandale, por asnjëherë askush s’ka me pasë rastin me udhëtu nëpër Kosovë e me drejtu gishtin tregues e me thanë “kjo është ndërtu në kohën e qeverisë Kurti”.
Sa për informatë buxheti i paraparë për investime kapitale për vitin 2025 është 931 milionë Euro, në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë realizuar vetëm 243 milionë Euro, prej të cilave 105 milionë Euro tyre janë realizuar nga ana e komunave