-8.1 C
New York
Monday, December 23, 2024

Buy now

Bajrami: Kurti po paraqitet si “patriot” përmes “aksioneve” në Veri, veprimet e tij s’e shtrijnë sovranitetin – i ktheu kundër nesh aleatët

- Advertisement -

Policia e Kosovës mbrëmë ka zhvilluar një aksion policor në veri të vendit ku mbylli pesë objekte të komunave ilegale. Ky aksion tërhoqi vërejtje të ashpra nga shtetet aleate në Kosovë.

Për këtë ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se si deputete është e obliguar t’i qëndrojë besnike të vërtetës dhe interesave të vendit, duke thënë se kryeministri Albin Kurti e ka gabim.

“Albin Kurti e ka gabim. Veprimet e tij nuk po e shtrijnë sovranitetin në veri. Që tri vjet e gjysmë Kurti duke mos pasë as edhe një rezultat në ekonomi, drejtësi, arsim dhe shëndetësi, ka kriju skena në veri duke i kthyer kundër nesh pothuaj të gjithë aleatët. Këto veprime janë dënuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë vazhdimisht, na kanë izoluar, na kanë vënë nën sanksione dhe kanë minimizuar mbështetjen për të cilën Kosova ka punuar kaq shumë. Sot Qeveria e Kosovës, rrjedhimisht Kosova ka ngelë pa aleatë”.

Ajo tha se derisa Kurti po paraqitet si “patriot” në veri të vendit, Kosovës ia ktheu kundër aleatët, ndërsa marrëveshjen e Serbisë me Francën për blerne e avionëve luftarakë e pa si rrjedhojë e sjelljes së Qeverisë së Kosovës.

“Ndërkohë, Kurti paraqitet si “patriot” përmes këtyre ”aksioneve” duke i dhanë shans Serbisë dhe Vuçiqit të përfitojnë nga këto sjellje, ka rehabilituar imazhin e Serbisë e po forcon kapacitetet e saj ushtarake. Marrëveshja e fundit Serbi-Francë për blerjen e avionëve luftarakë në vlerë prej 2.8 miliardë eurosh është pasojë e drejtpërdrejtë e sjelljes së papërgjegjshme të qeverisë sonë. Mjafton të shikoni këtë marrëveshje për të kuptuar se ku është Serbia sot dhe ku është Kosova. Ky nuk është thjesht një dështim diplomatik, është një katastrofë strategjike”.

E vërteta sado e hidhur dhe jopopullore duhet thënë zëshëm, thotë Bajrami.

“Kurti po e çon Kosovën drejt një rruge të rrezikshme dhe nuk bëhet fjalë këtu vetëm për izolim. Sot në kohë krizash e fragjilitet sigurie është e qartë më shumë se çdo herë tjetër që na duhet koordinimi me aleatë, sepse KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në atë pjesë të vendit. Pse është kaq e vështirë për t’u kuptuar kjo?”.

“Republikës i duhet një udhëheqje që prioritizon stabilitetin, sigurinë dhe pozitën ndërkombëtare të saj. Është koha të rikthejmë aleancat tona, të rindërtojmë marrëdhëniet diplomatike dhe të sigurojmë që Kosova të mbetet një anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar. E ardhmja jonë varet nga kjo dhe nuk duhet të pushojmë derisa të kemi një qeveri që interesat e shtetit i vendos para atyre të partisë”.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit