29.6 C
New York
Thursday, June 5, 2025

Buy now

Bajrami: Kurti po e denigron Albulena Haxhiun

- Advertisement -

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka folur për zhvillimet e fundit në vend e për 25 dështimet që të konstituohet Kuvendi i Kosovës, për çka tha se përgjegjësia kryesore i takon partisë që ka fituar 48 ulëse deputetësh në Kuvendin e Kosovës.

E dyta e LDK-së, në një intervistë për RTK, deklaroi se Albin Kurti nuk mund të thotë se i ka votat për Qeveri, por jo për Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

Sipas saj, nëse Kurti i ka 61 vota për Qeverinë, por jo për Haxhiun, atëherë po i bie se po e denigron atë.

“Nuk mund të thuash i kam votat për qeveri, atëherë Kurti nuk po i përdor ato vota për ta zgjedhur Haxhiun. A i bie që patriarkalizmi është pikërisht te ai, sepse ai votat që i ka për ta zgjedhur qeverinë, nuk po i vë në shfrytëzim. Votat nuk harxhohen, nëse i ke 61 vota për qeverinë, i ke 61 edhe për Albulena Haxhiun. Cili është shpjegimi pse nuk i përdor ai këto 61 vota? Nëse i ka, atëherë i bie që ai është duke e denigruar figurën e zonjës Haxhiu, sepse po i ka numrat, por po i thotë asaj se këto vota nuk mund t’i përdor për të bërë ty kryetare të Kuvendit, po i ruaj 3 ditë pas për ta votuar Qeverinë e Kosovës. A po i bie kjo që ndoshta ka deputetë të LVV-së që nuk po ia votojnë Haxhiun? Ai duhet ta shpjegojë, sepse nuk mund të besoj që Kurti i paska votat, por jo Haxhiu. Atëherë po i bie që ka njerëz brenda LVV-së që nuk janë duke votuar Haxhiun, sepse unë nuk e besoj që ka deputetë të partive të tjera parlamentare që do ta votonin Kurtin pa një marrëveshje politike”, tha Bajrami.

Tutje, deputetja e LDK-së tha se figura e ministres në detyrë të Drejtësisë dhe e kandidates për kryeparlamentare nga Vetëvendosje, nuk po kontestohet pse është grua, por se e shohin si një figurë polarizuese.

“Nuk ka të bëjë kjo me gjininë, unë jam grua vetë, jam në politikë nga viti 2010, nuk pajtohem asnjë pikë, sepse askush nuk e ka kontestuar figurën e Haxhiut pse është grua. Të gjitha deklaratat që dëgjohen nga blloku i deri djeshëm opozitar janë që Haxhiu ka qenë figurë polarizuese, çka është e vërtetë, që ka dështuar për katër vite si ministre e Qeverisë”, tha ajo.

Bajrami tha se Kuvendit i duhet një figurë unifikuese, meqë kreu i Parlamentit do të ushtrojë edhe rolin e presidentit nga marsi i vitit që vjen.

Madje, Bajrami tha se pikërisht do të jetë kjo situatë që do ta çojë vendin në zgjedhje, meqë thotë se po shihet qartë se asnjë koalicion nuk i ka votat për ta zgjedhur kreun e shtetit.

Nënkryetarja e LDK-së, që aktualisht ka një pozitë joformale si prijëse e deputetëve të kësaj partie, tha se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i shembi urat e bashkëpunimit në natën e zgjedhjeve.

“Ju e dini që ka fituar 42 për qind të votave, derisa do të duhej që natën e zgjedhjeve t’i uronte partitë tjera, ai ka dalë e i ka ofenduar të gjithë të tjerët, ka shembë, jo vetëm atë natë, por për katër vite ka shembur urat e bashkëpunimit. Problemi sot është politika e Vetëvendosjes”, tha ajo.

Ajo tha se në Kosovë nuk ka fitues absolut të zgjedhjeve.

“Nuk i morën ato 500 mijë votat e tash duhet të ulen e të reflektojnë. Numrat janë numra, ne nuk mund t’ua huazojmë votat e atyre që na kanë votuar neve, për të çuar përpara politikat e tyre. Ne i thamë jo, atyre u mbetet që t’i ftojnë edhe të tjerët. Marrëveshja për koalicion do të jetë pajtueshmëri e të dy palëve. Ne kemi ardhur me një propozim tjetër, ne mund të pranojmë të jemi pjesë e një qeverie kalimtare gjithëpërfshirëse me një agjendë të caktuar. Ne kemi në mendje se cilat janë problemet kryesore që mund t’i zgjidhë një qeveri kalimtare. Dhe në mars të vitit 2026, ashtu-kështu do të ketë zgjedhje, sepse vjen koha kur duhet të zgjidhet presidenti, dhe siç shihet nuk ka koalicion që i siguron 80 vota, prandaj ejani të bëhemi bashkë t’i kryejmë disa punë urgjente për Kosovën, për qytetarët, t’i iniciojmë disa projekte të mëdha”, tha Bajrami.

Të ngjashme

Të fundit