25.3 C
New York
Tuesday, July 22, 2025

Buy now

Bajrami kritikon liberalizimin e tregut të energjisë: 1,300 kompani ende nuk i kanë marrë faturat

- Advertisement -

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër lidhur me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë, duke e cilësuar të dhunshëm përjashtimin e mbi 1.300 kompanive nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike.

Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se ky veprim është kundërshtuar që në fillim, për arsye se nuk ekziston treg i lirë funksional dhe se institucionet nuk janë të përgatitura për një hap të tillë.

“E kemi kundërshtuar daljen në treg të lirë në mënyrë të dhunshme të rreth 1.300 kompanive, ose më saktë, përjashtimin e tyre nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike, sepse e kemi ditur që, e para, s’ka treg të lirë, dhe e dyta, që askush nuk është i përgatitur”, ka shkruar Bajrami.

Ajo shton se deri më sot, më 22 korrik asnjë nga kompanitë që janë përjashtuar nga tregu i rregulluar nuk ka marrë faturën për muajin qershor, duke ngritur pyetje të drejtpërdrejta ndaj institucioneve përgjegjëse.

“Sot është data 22 korrik dhe ende asnjë kompani e përjashtuar nga tregu i rregulluar nuk e ka marrë faturën e muajit qershor. Pse? S’po dini si me i faturu? S’po guxoni me treguar sa shumë është rritur çmimi i energjisë për këto kompani? S’po dini si me i kamuflu fitimet marramendëse të Vuk Hamoviqit dhe të NOA-s në emër të këtij ‘liberalizimi’”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Bajrami paralajmëron se hetimet ndaj kompanisë NOA janë tashmë në duart e Prokurorisë Speciale dhe sipas saj, ato do të shtrihen edhe ndaj zyrtarëve të tjerë përgjegjës.

“Një gjë po ju them: hetimet që Prokuroria Speciale ka filluar ndaj NOA-s nuk do lënë jashtë asnjërin nga ju, sepse në fund të gjithë përfundoni te fitimet e majme të Vukit dhe NOA-s”, ka theksuar Bajrami.

Të ngjashme

Të fundit