Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykemete Bajrami, thotë se ka mjete të mjaftueshme në buxhetin e Kosovës për t’i adresuar kërkesat e policëve.
Sipas Bajramit, Policinë e Kosovën, qeveria duhet ta ketë prioritet, pasi që hyjnë në kategorinë e organeve shtetërore.
“Ka mjete të mjaftueshme në buxhetin e Kosovës për t’i adresuar kërkesat e policëve. Edhe disa çështje janë me prioritet, unë besoj që këta hyjnë në grupin e kategorisë të organeve shtetërore, të cilëve duhet me iu dhënë prioritet”, tha ajo në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ajo tha se fatura e pagave të PK-së dhe FSK-së merr 23% në buxhetin e Kosovës, derisa Banka Botërore lejon që të marrë 27%.
“Sot, fatura e pagave të komplet administratës shtetërore duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës edhe FSK-në edhe të gjithë, merr pjesë me 23 për qind në buxhetin e përgjithshëm të Kosovës. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe Banka Botërore edhe të gjitha institucionet, të cilat na mbikëqyrin neve në aspektin se si po i shpenzojmë të hyrat tona buxhetore e lejojnë një pjesëmarrje deri në 27 për qind”, deklaroi deputetja opozitare.
Sipas saj, nëse do të bëhej koeficienti i pagës 125 euro, thjesht dhe shumë lehtë mund të akomodohej.
“Sikur sot të bëhej koeficienti i pagës 125 euro, thjesht dhe shumë lehtë mund të akomodohej. Nëse e shohim në buxhetin e vitit 2023 ka pasur mbi 200 milionë euro fonde për ringjallje ekonomike në kuadër të Ministrisë së Financave, të cilat kanë qenë pa ndonjë dedikim. Nëse sot i shohim ato, diku rreth 60 deri në 66 milionë në gjashtë mujorin e parë kanë shkuar në energji dhe pajisje efiçiente – një shumë jashtëzakonisht e madhe ka shkuar në blerjen e pajisjeve për mbrojtje, por nuk është ringjallje”, shtoi ajo.