Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, mëngjesin e së dielës ka folur për deficitin tregtar në Kosovë.
Ish-ministrja e Financave hodhi kritika ndaj Qeverisë Kurti. Sipas saj, në dy vitet e qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, Kosova ka shënuar rekord të paparë të deficitit tregtar.
Ajo tregoi se deficiti tregtar ka qenë rreth 2.8 miliardë euro në vitin 2020, ndërkohë pas dy vitesh, Kosova ka arritur deficit tregtar prej 4.7 miliardë euro.
“Për dy vite të qeverisë Kurti Kosova ka arritur rekord të paparë të deficitit tregtar, derisa në vitin 2020 deficiti tregtar ka qenë rreth 2.8 miliardë euro, në vitin 2022 Kosova ka arritë deficit tregtar 4.7 miliardë euro”, shkroi ajo.
Bajrami njoftoi se këto të dhëna i ka marrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Reagimi i Bajrami vjen pasi të enjten, Kurti është deklaruar rreth inflacionit në Kosovë, ndërsa ka fajësuar agresionin rus në Ukrainë.
“Kemi pasur inflacion është e vërtetë, dhe shkaqet janë prej krizës energjetike dhe agresionit rus në Ukrainë e deri të struktura jonë e ekonomisë që ka shumë import me deficit rëndues tregtar”, thoshte shefi i qeverisë në Klan Kosova.
Kurti deklaronte se “vetëm Shqipëria e ka inflacionin më të ulët se ne”.
“Afër 4% rritje ekonomike, pasi të hiqet inflacioni besoj që ka qenë një rritje e mirë ekonomike dhe duke mos harruar që jemi kujdesur për ata që kanë më shumë nevojë”.