Alban Bajrami nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet.
Megjithatë, ai ka theksuar se nëse dikush nga Gjykata Kushtetuese pret që Lista Serbe të marrë përkrahjen e LVV-së, është gabim.
“Sigurisht që duhet të zbatohet, por unë nuk besoj që dikush në Gjykatën Kushtetuese pret që Lista Serbe do të marrë përkrahjen tonë. Kjo as që nuk diskutohet, por nuk është as surprizë, besoj. Pra, nuk ka nevojë askush të befasohet në qoftë se e shohin një gjë të tillë në Kuvend,” tha Bajrami.
Më tej, ai i ka bërë thirrje partive të ish-bllokut opozitar që të votojnë Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, pasi sipas tij, aktgjykimi i Kushtetueses nuk përcakton domosdoshmërisht që kandidati duhet të jetë nga Lista Serbe.
“Kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili nuk thotë që domosdoshmërisht duhet të jetë dikush nga Lista Serbe. Kjo është mesazh për partitë opozitare shqiptare që ta votojnë Rashiqin. Tani, le të kemi parasysh se po ka dyshime që edhe anëtarë të tjerë deputetë të Listës Serbe kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë, dhe nëse kjo vërtetohet, çfarë kemi për të pritur më tepër? Meqenëse duhet të kemi një unitet mes partive politike, Lista Serbe është kriminale,” tha Bajrami.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim të martën që seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, dhe që ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit.
Gjykata e ka arsyetuar vendimin e saj, duke përmendur se ende nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
“Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Gjykata ka thënë se ka vendosur të vazhdojë masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të aktgjykimit.