5.7 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

Bajrami: Buxheti 2025 është tranzitor, Qeveria e re me Abdixhikun kryeministër do ta hartojë nga fillimi

- Advertisement -

Nesër në Kuvendin e Kosovës do të bëhet shqyrtimi i parë i buxhetit për vitin 2025. Për ta kaluar nevojitet shumicë e thjeshtë, pra me 61 vota. Nga partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do ta votojnë këtë buxhet, ndërsa partia në pushtet thotë se i kanë votat. Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka thënë për Express se ky buxhet është “tranzitor” dhe se “qeveria e re me kryeministër Lumir Abdixhikun” do ta hartojë buxhetin nga fillimi.

Nesër nga ora 10:00 deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’i kthehen sallës plenare. Aty do të diskutohet vetëm një pikë e rendit të ditës që është shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Në një përgjigje për Gazetën Express, deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka thënë se ky është një buxhet tranzitor, pasi sipas saj pas 9 shkurtit Kosova do të ketë kryeministër Lumir Abdixhiku.

Ish ministrja e Financave ka shtuar se do të hartojnë buxhetin nga fillimi dhe se do të ketë rishikim të mirëfilltë për të reflektuar secilin zotim të programit të LDK’së “Rruga e Re”.

“Ligji i buxhetit kalon me shumicë të thjeshtë. Ky është një buxhet tranzitor, pas datës së 9 shkurtit Qeveria e Re me kryeministër Lumir Abdixhikun do ta hartojë buxhetin nga fillimi, do të ketë rishikim të mirëfilltë për të reflektuar secilin zotim të programit “Rruga e Re”, ka thënë Bajrami për Express.

Më 4 nëntor, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit opozitarët nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë projektbuxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm që është parashikuar të jetë 3.6 miliardë euro.

Por, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se e kanë shumicën parlamentare për ta votuar buxhetin e Republikës për vitin e ardhshëm.

Ndërsa, Lëvizja FOL ka kritikuar Qeverinë për buxhetin 2025, duke thënë se po propozon praktika të gabuara ligjvënëse.

FOL thotë se neni 9 ka përcaktuar se vlera monetare e koeficientit të pagave të punëtorëve në sektorin publik të përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit dhe se nuk e autorizon Qeverinë të ndryshojë strukturën e koeficientëve.

“Përkatësisht, neni 9 i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik ka përcaktuar se vlera monetare e koeficientit të pagave të të punësuarve në sektorin publik të përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit, ndërsa në asnjë rast nuk e ka autorizuar Qeverinë e Republikës së Kosovës që me ligjin vjetor të buxhetit të ndryshoj strukturën e koeficientëve, veçse të përcaktuar në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.”

Sipas FOL’it kjo praktikë ka ngjallur shqetësime për mënyrën e ndjekur.

FOL ka kërkuar nga deputetët që të mbrojnë integritetin e sistemit ligjor të Kosovës.

“Rrjedhimisht, kërkojmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të veprojnë me përgjegjësi dhe të mbrojnë integritetin e sistemit ligjor të Kosovës, duke siguruar që çdo ndryshim ligjor të jetë i miratuar vetëm në përputhje me procedurat dhe parimet kushtetuese dhe ligjore, për të shmangur precedentët e rrezikshëm që mund të dëmtojnë interesat e qytetarëve.”

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit