Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar përmes një video-deklarate të publikuar në Facebook, ku ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe deputetin Armend Muja lidhur me menaxhimin e sektorit të energjisë.
Ajo tha se Ministria e Ekonomisë “tashmë është e uzurpuar” nga Vetëvendosje dhe se për katër vite kjo parti “i ka pasur njerëzit e vet të deleguar” në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe në KOSTT.
“Lëvizja Vetëvendosje ka Ministrinë e Ekonomisë tashmë të uzurpuar, por e ka pasur katër vite. I ka njerëzit e vet të cilët i ka delegu në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, në KOSTT dhe kinse kundër propagandës tonë. Sot në konferencë për media ka dalë Armend Muja – dhe pyetja është: pse Armendi e jo përgjegjësit?” tha ajo.
Sipas Bajramit, konferenca e Mujës ishte “më shumë histori se sqarim”, duke shtuar se ai gjatë gjithë periudhës për të cilën foli, “ka qenë mbështetës i PDK-së dhe kundërshtar i LVV-së”.
Ajo po ashtu e cilësoi “të pasinqertë” deklarimin e Mujës për privatizimin e distribuimit të energjisë elektrike.
“Një gjë tjetër të pasinqertë që e përmendi Armend Muja ishte privatizimi i distribuimit të energjisë elektrike dhe e linte këtë kinse me LDK-në. Pse, Armend? Një gjë e dimë të gjithë: përgjegjëse e privatizimit ka qenë Mimoza Kusari, ministre dhe zëvendëse e Thaçit në atë kohë. Pse po provon me e lidh këtë me LDK-në?” u shpreh ajo.
Bajrami e kritikoi deputetin edhe për mosadresimin e zhvillimeve gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.
“Pse nuk i fole dy fjalë për qeverisjen e Kurtit të viteve 2021–2025? Ju keni ardhë me gojën plot që keni me luftu ‘mafinë energjetike’, e çka ka ndodhur gjatë atyre viteve?” deklaroi Bajrami.
Reagimi i saj vjen pas konferencës së deputetit Armend Muja, i cili kishte folur për çështjet e sektorit të energjisë dhe proceset e privatizimit.






