8 C
New York
Monday, March 31, 2025

Buy now

Bajraktari: Deputeti s’mund të jetë njëkohësisht edhe anëtar i Qeverisë, afati për formimin e institucioneve ka nisur

- Advertisement -

Avokati Ardian Bajraktari ka vënë në dukje se Neni 26 i Ligjit për Qeverinë ndalon qartë ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga zyrtarët publikë, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, një person i zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës nuk mund të mbajë njëkohësisht edhe pozita ekzekutive, përfshirë atë të anëtarit të Qeverisë.

“Fillimisht duhet thënë se neni 26 i Ligjit për Qeverinë duhet parë në kuptim të përmbajtjes se tij i cili nënkupton që ka të bëjë me papajtueshmëri në ushtrimit të funksionit që nënkupton se një person i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund njëkohësisht të ushtrojë edhe funksione të tjera, përfshirë edhe ato ekzekutive, përkatësisht anëtarë qeverie, mirëpo po ashtu është e rëndësishme të konstatohet fakti që kur konsiderohet një deputet i zgjedhur”, ka thënë Bajraktari për EO.

Ai gjithashtu thekson se momenti kur një person konsiderohet zyrtarisht deputet është i përcaktuar në Kushtetutë.

“Këtë besoj që e ka dhënë përgjigje jashtëzakonisht mirë dhe të qartë Kushtetuta, neni 70, paragrafi 2 që përcakton se mandati i deputetit fillon në momentin e certifikimit të rezultateve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve” sqaroi ai.

Sipas Bajraktarit, edhe pse Neni 26 nuk përmban sanksione konkrete për shkeljen e tij, ai mbetet një normë që duhet të zbatohet.

“Dispozitën e neni 26 (të Ligjit për Qeverinë) po ashtu duhet parë edhe në drejtim të asaj që duhet me u zbatua pavarësisht që moszbatimi i dispozitës së tillë nuk është që paraqet ndonjë sanksion, mirëpo megjithatë ligjet edhe kur janë të tilla dhe jo mjaftueshëm të qarta, nga kushdo qoftë e aq më tepër nga krerët shtetëror duhet të zbatohen”, u shpreh Bajraktari.

Avokati Bajraktari ka deklaruar se, pavarësisht zhvillimeve politike, vendi nuk duhet dhe nuk mund të mbetet pa qeveri funksionale. Ai thekson se edhe në mungesë të dorëheqjes formale, Kosova aktualisht ka një qeveri kujdestare, e cila ushtron detyra të domosdoshme dhe thelbësore deri në krijimin e qeverisë së re.

“Fillimisht duhet pasur parasysh faktin që vendi nuk mundet dhe nuk duhet të mbetët pa qeveri, qoftë qeveri në dorëheqje apo në detyrë. Dallimet janë nuancore për faktin se qeveritë e tilla si rregull kanë mandate fushëveprim të kufizuar dhe në drejtim të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë të kujdestarit, prandaj vlerësoj që pavarësisht mosdhënies së dorëheqjes që në bindjen time do duhej reflektuar në raport me këtë dispozitë, megjithatë vendi ka një qeveri kujdestare e cila ushtron detyra të domosdoshme e esenciale deri në zgjedhjen e qeverisë së re”, ka deklaruar Bajraktari.

Ai ka theksuar se afati kushtetues për hapat e mëtejshëm institucional ka nisur tashmë.

“Afati prej 30 ditësh fillon me rrjedh nga dita e djeshme kur janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve besoj dhe shpresoj që në pajtim me nenin 66 Kushtetutës së vendit, Presidentja e vendit e cila në këtë fazë të procesit të themelimit të institucioneve ka rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, në konsultim edhe me subjektet politike, do të reflektojë në raport me mandatin dhe me përgjegjësinë që e ka dhe pa vonesa të ftohet seanca konstituive e Kuvendit”.

Sipas Bajraktarit, respektimi i afateve dhe procedurave kushtetuese është thelbësor për ruajtjen e rendit demokratik dhe funksionimin normal të institucioneve të shtetit.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit