Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci është shprehur i bindur se brenda dhjetë ditësh do të ketë zhbllokim të situatës aktuale politike të Kosovës.
Sipas Bajqinovcit, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu shumë shpejt do të votohet për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka shtuar se beson që momentalisht është duke u diskutuar për modalitetet e marrëveshjeve për koalicionin qeverisës.
“Ne kemi diskutime me Nismën dhe me partitë minoritare edhe unë besoj që hapi i rradhës them gjithmonë pas konstituimit të Kuvendit unë besoj shumë që nuk do të shkoj larg dhe do ta kemi të votuar kryetarin e Kuvendit në këtë rast Albulena Haxhiunh pra nuk do të shkojë i bindur jam as dhjetë ditë dhe do të kemi një zhbllokim dhe unë besoj që është duke u diskutuar për modalitetet e marrëveshjeve për koalicionin qeverisës Nuk besoj që do të kemi bllokadë të gjatë”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës për të tetën herë me radhë ka dështuar të konstituohet, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të sigurojë shumicën e thjeshtë të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtë herë nuk mori mbështetjen për postin e kryeparlamentares.
Kësaj radhe, ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan.
Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.