Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se është me rëndësi të madhe që Qeveria e propozuar nga mandatari i dytë, Glauk Konjufca, të votohet brenda afatit ligjor, në mënyrë që të shmangen pasojat serioze për funksionimin e shtetit.
Sipas tij, situata institucionale po hyn në fazë të rrezikshme dhe një numër çështjesh urgjente presin zgjidhje.
Ndërsa sa i përket sigurimit të votave, ai tha se nuk ka informacione, pasi që i takon mandatarit.
“Është në interes të madh që të formohet Qeveria Konjufca, për shkak se ka disa urgjenca të mëdha si RTK-ja, Komuna e Prishtinës, Gjilani, Komuna e Zubin-Potokut dhe rreziku që në muajin shkurt Ligji për Buxhet – pra të jepen pagat e shërbyesve publikë – mund të krijojë kolaps të shtetit”, tha Bajqinovci në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai theksoi se vendi nuk e përballon dot një tjetër krizë politike që mund të çojë në zgjedhje të reja.
“Shpresoj shumë që deri të mërkurën të votohet Konjufca për kryeministër. Ta kemi një qeveri, qoftë edhe të përkohshme, por të kryhen çështjet urgjente dhe të mbërrijmë deri në periudhën e zgjedhjes së presidentit pa shkuar në zgjedhje. Edhe populli është lodh nga zgjedhjet”, u shpreh ai.
Konjufca ka edhe pesë ditë afat për formimin e Qeverisë. Ndërkohë, nga Vetëvendosje thonë se nuk ka ende ftesa zyrtare për partitë politike, përveç thirrjes publike që mandatari u ka bërë për t’iu bashkuar negociatave.






