Ish-kryetari i Mitrovicës dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka deklaruar se situata në veri të Kosovës është e qetë dhe nën kontroll të plotë të institucioneve të shtetit.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ai theksoi se sovraniteti i Kosovës është i shtrirë në çdo pjesë të territorit.
“Situata është shumë e qëndrueshme, është nën kontroll. Komplet veriu është i shtrirë sovraniteti dhe siguria në çdo pllëm të veriut. Askush më, asnjë grup njerëzish nuk mund ta cenojë atë pjesë të veriut, këtë po ju garantoj unë,” u shpreh Bahtiri.
Duke folur për mundësinë e rikthimit të Listës Serbe në krye të komunave veriore, Bahtiri tha se kushdo që fiton zgjedhjet me votë të lirë ka mandat legjitim, por nuk mund të shfrytëzojë postin për qëllime kriminale.
“Rikthimi i Listës Serbe në kryetar të komunave mundet me ndodhë, ashtu si mund të vijë edhe një serb, edhe një boshnjak apo cilido tjetër që i fiton zgjedhjet me votë të lirë. Por secili ka mandatin e një komune, ka rregulloren dhe punën që ka për të bërë në atë komunë. Nuk mundet kryetari me bo grupe kriminale, aq e thjeshtë është,” tha ai.
Bahtiri shtoi se në të kaluarën ka pasur raste kur toka është marrë pa pyetur shtetin, por kjo nuk do të ndodhë më.
“Nëse sot një kryetar merret me grupet kriminale, ai do të arrestohet. Simbolet shtetërore që i ka Republika e Kosovës nuk guxon askush me i prek. Në atë minutë që i prek, në atë minutë ka me u arrestu,” deklaroi deputeti i LVV-së.