Skuadra kosovare, Bad News Eagles, ka arritur fitoren e parë në Grupin A të kualifikimeve për Major që po mbahen në Kopenhagë të Danimarkës, duke mposhtur Organizatën nga Mbretëria e Bashkuar, Viperio me rezultat 16-9.
BNE nuk e filloi në mënyrën më të mirë rrugëtimin e saj në këto kualifikime, pasi u mposhtën nga 1WIN në ndeshjen e parë edhe pse për një moment ishin duke fituar 7-1, por organizata ruse u kthye në lojë për ta fituar më pas me rezultat bindës 16-9 në hartën Mirage.
Për dallim nga ndeshja e parë, djelmoshat nga Kosova kundër Viperios ishin shumë më agresivë, duke fituar në pjesën e parë 9-6 edhe pse ishin si ‘Terrorist’, ku dihet se harta Overpass është më favorizuar për ‘Kundër-Terroristët’.
BNE-ja, nuk dëshpëroi as në pjesën e dytë, në fund për të triumfuar me rezultat 16-9, kështu për të arritur deri te fitorja e parë në kualifikimet për Majorin që do të mbahet në Paris gjatë muajit maj.
Më i disponuari nga kosovarët ishte padyshim Flatron ‘juanflatroo’ Halimi me 26 vrasje, i ndjekur nga Genc ‘-gxx’ Kolgeci me 22 të tilla, ndërsa te Viperio më i dalluari ishte Tom ‘arTisT’ Clarke me 20 vrasje.
Ndeshjen e radhës shumë të rëndësishme, Bad News Eagles do ta zhvillojnë nesër, por ende nuk dihet kundërshtari dhe ora e fillimit të ndeshjes. Krejt çfarë dihet është se ata do të përballen me një nga skuadrat që ka rekordin e njëjtë nga dy ndeshjet e para, pra një fitore dhe një humbje.