Jorge Messi, babai dhe menaxheri i Lionel Messit, i ka hedhur poshtë lajmet e mediave franceze se superylli argjentinas do të luajë në Arabinë Saudite sezonin e ardhshëm, duke thënë se asgjë nga kjo nuk është e vërtetë.
Sot gjatë ditës, AFP – agjencia franceze e lajmeve – tha se Messi do të luajë në Arabinë Saudite sezonin e ardhshëm pas arritjes së një marrëveshjeje marramendëse.
Por ky lajm është përgënjeshtruar shumë shpejt nga Jorge, babai i yllit të Paris Saint-Germainit.
“Nuk ka asgjë të vërtetë në lajmet se kemi marrëveshje me ndonjë klub për sezonin tjetër. Ne do të vendosim në fund të sezonit”, tha Jorge në një reagim në rrjetet sociale.
Ai shtoi “Nuk është nënshkruar asgjë, as nuk jemi paguar për asgjë as bverbalisht. Këto janë vetëm lajme të rreme duke përdorur emrin e Leos.”
AFP-ja raportoi se burimi, që ka folur në kushte anonime, kishte këmbëngulur se marrëveshja ishte arritur.
PSG-ja nuk ka dashur të komentojë për AFP-në lidhje me këtë, përveç se ka theksuar se kontrata e Messit nuk mbaron deri më 30 qershor.
Për Messin është përfolur vazhdimisht se do të largohet nga PSG-ja këtë verë me Arabinë Saudite ndër destinacionet e përmendura më së shpeshti.
Është raportuar vazhdimisht se shtatë herë fituesi i Topit të Artë e ëndërron kthimin në Barcelonë, me këtë të fundit që synon të njëjtë gjë, por telashet financiare kanë qenë një pengesë e madhe.