Përkundër faktit që paga minimale në disa kompani private tashmë ka kaluar pragun e 400 eurove, ky përmirësim po shihet vetëm si një fasadë që mbulon shkeljet sistematike të Kodit të Punës. Jusuf Azemi nga SPSPK ka bërë të ditur se sektori privat po kalon nëpër një krizë të respektimit të të drejtave elementare.
Sipas tij, punëtorët po detyrohen të mbajnë barrën e gjashtë ditëve të punës në javë, ku dita e gjashtë, ashtu si dhe puna gjatë natës, mbeten kryesisht të pakompensuara
“Duhet të themi diçka për punëtorët, aty nuk kemi të bëjmë aspak me qeverinë dhe kuvendet komunale, aty gjendja është shumë më e mirë. Ndërsa te kompanitë private, në raste të rralla kemi paga nën 400 euro. Gjendja është e mirë, por jo e mjaftueshme. Kemi probleme sepse punëtorët punojnë jashtë orarit të punës, punojnë edhe gjatë natës dhe nuk paguhen. Punëtorët e sektorit privat, pjesa dërmuese, gjatë javës punojnë gjashtë ditë, ndërsa dita e gjashtë nuk u kompensohet”, ka deklaruar Azemi gjatë një interviste për Ekonomia Online.






