2.5 C
New York
Thursday, December 26, 2024

Buy now

Azemi i LDK-së i kundërpërgjigjet Muratit: Për 5 ditë keni dhënë 7 tenderë të negociuar, mbi 4 milionë euro i keni dhënë në tavolinë

- Advertisement -

Zyrtari i LDK-së Visar Azemi i ka reaguar ministrit Hekuran Murati duke ia përmendur shkallën e realizimit të investimeve kapitale dhe kontratat njëburimore

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Azemi ia përmend me shifra ministrit Murati, duke e pyetur se pse po iu pengon themelimi i komisionit hetimor parlamentar.

“Ne e dimë pse po ju acarojnë faktet tona. Sepse për 5 ditë pune, keni dhënë së fundi 7 tenderë të negociuar. Mbi 4 milionë euro të tjera i keni dhënë në tavolinë. Pra, keni mbërri në shifrën e 788 kontratave njëburimore apo në vlerën e 213 milionë eurove të dhëna sy me sy”, ka shkruar Azemi ndër të tjera.

Postimi i plotë:

Ministrit të Financave i paska penguar si askujt tjetër shpalosja e fakteve nga LDK sa i përket abuzimit me kontratat njëburimore dhe shkalla e realizimit të investimeve kapitale gjatë vitit 2023. Por LDK që flet veç gjuhën e fakteve, propagandës preferojmë t’i përgjigjemi sërish me fakte. E faktet e mëposhtme i kemi nga të dhënat e Thesarit, pikërisht nga ministria që e udhëheq Hekuran Murati.

Është pikërisht Ministria e këtij të fundit, ajo e Financave, Punës dhe Transfereve, që shkallën e realizimit të investimeve kapitale gjatë vitit 2023 e ka veç 52%. Pra, pakëz më shumë se gjysma, e që janë veç 8.3 milionë euro.

Meqë Murati preferon krahasimin e ministrive me komuna, le të qëndrojmë pak edhe këtu. Një ministri, ajo e Ekonomisë ka realizuar veç 11% të investimeve kapitale vitin që shkoi. Në përqindje, ministria e Artane Rizvanollit është me keq se shumica e komunave të Kosovës. Me keq se ky dikaster i qeverisë është veç Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviqi.

Në anën tjetër, sa i përket dallaverave që duken sheshazi me kontratat njëburimore, pse po iu pengon themelimi i komisionit hetimor parlamentar? Nëse s’keni asgjë për të fshehur, pse s’po i çelni letrat? Nëse jeni të pastër, pse s’po ndjeheni komod me u hetu kjo çështje?

Ne e dimë pse po ju acarojnë faktet tona. Sepse për 5 ditë pune, keni dhënë së fundi 7 tenderë të negociuar. Mbi 4 milionë euro të tjera i keni dhënë në tavolinë. Pra, keni mbërri në shifrën e 788 kontratave njëburimore apo në vlerën e 213 milionë eurove të dhëna sy me sy.

Këto janë faktet. Faktet janë kokëforta. Prandaj dhembin.

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit