Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Enver Axhami ka deklaruar se nuk e kishte ndalur asnjëherë Agim Idrizin, dëshmitarin e hapur të Gjykatës Speciale.
Axhami u përmend nga Idrizi gjatë deklaratës së tij në Speciale. Idrizi kishte deklaruar se kishte pasur probleme pronësore dhe private me Enver Axhamin, që gjatë luftës duket se shkallnuan me kidnapimin e Idrizit nga Axhami, siç pretendonte ai.
Në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Axhami ka deklaruar se Idrizin e njihte vetëm si bashkëfshatar gjersa theksoi se dënimin e tij e kishte vuajtur për akuzat që e rëndonin.
“Kam qenë ushstar i UÇK-së. Jam arrestuar në 2003 për krime lufte. Kam vuajtur dënimin prej 6 vitesh mu ka shqiptu, kam vuajtur denim për 4 vite për këtë aktakuzë. Procesin e aktakuzës besoj se e kam kryer në bazë të bisedës që ka dhënë ky zotëria. Kam flijuar dhe kam ndejtur në burg i pafajshëm. Se e di veten të pafajshëm, nuk jam marrur me gjë të keqe gjatë operimit”, ka deklaruar ai gjersa ka theksuar se “Nuk e kam ndal (Agim Idrizin). Kurrë. E kam njohur se e kam bashkfshatar. Nuk i kam than tradhëtar”.
Tutje, Axhami ka theksuar se personi i cili kishte kryer veprën që pretendonte dëshmitari Idrizi ishte dikush tjetër dhe se i njëjti kishte kryer dënimin.
“Personi që ka pranuar para gjykatës se e ka arrestuar këtë person e ka vuajtur dënimin. Rrustem Dema e ka pranuar se e ka arrestuar dhe e ka vuajtur dënimin”, ka deklaruar Axhami.
Axhami thotë se gjatë kohës së luftës kishte qenë shoqërues i komandantit të brigades.