29.7 C
New York
Tuesday, August 26, 2025

Buy now

AVONET: Qeveria t’i mbajë duart larg gazetarët e RTK-së

- Advertisement -

Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka reaguar ashpër ndaj vendimit për përjashtimin e disa gazetarëve dhe moderatorëve nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), duke e cilësuar atë si një akt arbitrar, joligjor dhe në kundërshtim me parimet demokratike.

AVONET paralajmëron se ky veprim përbën një cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së medias dhe demokracisë në Kosovë, pasi RTK është pronë e qytetarëve e jo e pushtetit politik.

“Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh shqetësimin e thellë për ndërhyrjen e Qeverisë në lirinë e medias dhe përjashtimin arbitrar të gazetarëve dhe moderatorëve nga Transmetuesi Publik i Kosovës (RTK). Ky veprim, i kryer në mënyrë të paparalajmëruar, joligjore dhe në mungesë të një Bordi funksional, paraqet cenim të drejtpërdrejtë të pavarësisë editoriale dhe të misionit publik të RTK-së.

Vendimi për mbylljen e emisioneve dhe përjashtimin e gazetarëve që kanë demonstruar profesionalizëm dhe paanshmëri, tregon qartë tendencën për të heshtur zërin kritik dhe për të ushtruar kontroll politik mbi transmetuesin publik. AVONET vlerëson se ky akt i censurës alarmante nuk është vetëm një çështje e brendshme e RTK-së, por një goditje e rëndë ndaj lirisë së shprehjes, transparencës dhe demokracisë në Kosovë. Sepse RTK nuk është e pushtetit, është e të gjithë qytetarëve të Kosovës.” – thuhet në reagim.

Rrjeti i OJQ-ve u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore dhe partive politike, veçanërisht Lëvizjes Vetëvendosje, të ndalojnë çdo ndërhyrje në punën e gazetarëve dhe të garantojnë funksionimin e pavarur të transmetuesit publik.

“Si organizatë e shoqërisë civile që monitorojmë respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirinë e medias, ne i bëjmë thirrje institucioneve shtetërore dhe partive politike, me theks të veçantë Lëvizjes Vetëvendosje të ndalojnë çdo ndërhyrje në punën e gazetarëve, të garantojnë funksionimin e pavarur të RTK-së dhe të respektojnë parimet e rendit demokratik.

Po ashtu, kërkojmë nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, sidomos ata që mbështesin zhvillimin e mediave të lira dhe të pavarura, që të reagojnë ndaj këtij rasti të rëndë të censurës. AVONET qëndron në solidaritet me gazetarët e përjashtuar padrejtësisht dhe i inkurajon ata të vazhdojnë përpjekjet ligjore dhe profesionale për të mbrojtur lirinë e medias, si një nga shtyllat themelore të shoqërisë demokratike!”

Të ngjashme

Të fundit