Home Lajme AVONET: Gjykata Komerciale ndaloi shkeljen e ligjit nga Komuna e Përparimit

AVONET: Gjykata Komerciale ndaloi shkeljen e ligjit nga Komuna e Përparimit

0
AVONET: Gjykata Komerciale ndaloi shkeljen e ligjit nga Komuna e Përparimit

Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh përkrahjen e plotë ndaj Aktvendimit KA.nr.181/23 të datës 17.10.2023, të nxjerrë nga znj. Vlora Pacolli Rexhepi, gjyqtare e Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale të Kosovës, me të cilin u SHTYE ekzekutimi i vendimit PSh. nr. 144/23 i datës 19.04.2023, i nxjerrë nga i Organi Shqyrtues i Prokurimit, nga Vedat Poterqoi – Anëtar i OSHP-së. Rrjeti i OJQ-ve AVONET vlereson se ky aktvendim i shërben ruajtjes dhe garantimit të sigurisë juridike për të gjithë personat fizik dhe juridik nga ana e gjykatave të Republikës së Kosovës, thuhet në një komunikatë për media, transmeton Scanner.

Rrjeti i OJQ-ve AVONET shprehet jashtëzakonisht i shqetësuar nga deklarimet publike të Kryetarit të Prishtinës z. Përparim Rama, në lidhje me aktvendimin e Gjykatës Komerciale për rastin e rrugës A, kjo praktikë e tentimin për ndërhyrje në drejtësi është e rrezikshme sepse përmes këtyre deklaratave po cënohet pavarësia e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës.

Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka përcjellur përmes kanaleve të informimit se Aktvendimi KA.nr.181/23 i datës 17.10.2023, i nxjerrur nga znj. Vlora Pacolli Rexhepi, gjyqtare e Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale të Kosovës nuk është duke u zbatuar nga Komuna e Prishtinës, për faktin se ende nuk janë pezulluar punimet në rastin në fjalë. Andaj, i bëjmë thirrje Komunës së Prishtinës që urgjentisht të ndërrmarr të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbatimit të Aktvendimit KA.nr.181/23 të Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale të Kosovës, sepse në të kundërtën po krijohen precedente të rrezikshme të cilat po rrezikojnë sigurinë juridike në vendin tonë.

Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka monitoruar që nga dita e parë procesin e aktivitetit të prokurimit 616-22-7096-5-1-2 të zhvilluar nga Komuna e Prishtinës, në cilësinë e autoritetit kontraktues, për pasojë stafi i AVONET gjatë pjesës së parë të vitit ka pasur edhe takim me të parin e Komunës së Prishtinës z. Përaprim Rama, ku në këtë takim stafi i AVONET i ka shpjeguar z. Ramës, se lidhja e kontratës me operatorin ekonomik (me të cilin tashmë ka lidhur kontratë Komuna e Prishtinës për kryerjen e punimeve në rrugën Xhim Xhema / Rruga A) është në kundërshtim të plotë me dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik. Përvec takimit zyrtar direkt me z. Rama gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit, AVONET disa herë përmes komunikimeve zyrtare elektronike i ka përcjellur Komunës së Prishtinës, konkretisht z. Përparim Rama argumentet dhe provat të cilat dëshmojnë absolutisht se operatori ekonomik “Sallahu” Sh.p.k, nuk ka pasur të drejtë të marrë pjesë në aktivitetin e prokurimit 616-22-7096-5-1-2, për faktin se me Aktgjykimin PKR nr. 16/2018 të datës 30.03.2018 të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, z. Naim Sallahu është shpallur fajtorë për kryerjen e veprës penale nga neni 398, paragrafi 2 (Falsifikimi i Dokumentit Zyrtar), andaj sipas Ligjit NR. 04/L-042, për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, nenit 65, paragrafit 3, operatorëve ekonomik ose drejtuesit, menaxherit apo drejtorit të tyre ju ndalohet pjesëmarrja në aktivitete të prokurimit publik apo edhe ekzekutimi i ndonjë kontrate publike për dhjetë (10) vite, në rastet kur shpallen fajtorë për vepra penale sipas legjislacionit penal pozitiv të Republikës së Kosovës.

AVONET gjatë hulumtimit kishte identifikuar se dokumentacioni (dosja) e ofertës së OE “Sallahu” në aktivitetin e prokurimit të projektit me titullin: “Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë” tregon qartë se z. Naim Sallahu është zyrtar i OE “Sallahu” Sh.p.k, duke figuruar në listat e pagave dhe deklarimeve vjetore për tatimin në të ardhurat e korporatave, dhe në noterizimin e certifikatës ISO dhe poashtu ai ishte prezent edhe në fillimet e punimeve në këtë rrugë.

Gjatë hulumtimit të dokumenteve në dosjen e tenderit kemi identifikuar se në dosjen e tenderit ka kontrata të realizuara, referenca të inxhinierëve, udhëheqësit të punishtes, që mbajnë firmën e Naim Sallahut, këto kontrata dhe referenca kanë qenë kërkesa konkrete për të plotësuar kriteret e dosjes së tenderit në këtë aktivitet prokurimi, e që AVONET ka konsideruar dhe konsideron se këto dokumente kanë qenë bazë për të plotësuar kushtin e drejtës (kriterit) për të ofertuar. Gjithashtu, AVONET kishte njoftuar Komunën e Prishtinës, të udhëhequr nga z. Rama se përfaqësuesi i OE “Sallahu” Sh.p.k, z. Lulzim Sallahu ka nënshkruar deklaratën nën betim, në kundërshtim të plotë me gjendjen faktike, me anë të këtij deklarimin nën betim të nënshkruar nga drejtori i OE “Sallahu” Sh.p.k, Lulzim Sallahu, AVONET-it dyshonte dhe dyshon se subjekti në fjalë ka mashtruar Autoritetin Kontraktues në këtë rast Komunën e Prishtinës, duke vënë nën lajthitje dhe mashtrim, e që kjo sipas gjykimit të AVONET dëshmon në mënyrë të qartë se personi në fjalë ka konsumuar elementet veprave penale nga neni 415 (Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik) dhe nga neni Neni 383 (Deklarimi i rremë nën betim) i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

AVONET kishte shprehur shqetësim për praktikat e tilla, të cilat krijojnë precedente jashtëzakonisht të dëmshme në fushën e prokurimit dhe kishte kërkuar veprime konkrete nga autoritetet relevante, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës për të ndërmarrë masa të nevojshme për të siguruar transparencën dhe integritetin e procesit të prokurimit publik në Kosovë, pasi me këto veprime dhe mosveprime nga ana e Zyrtarit Kryesor Administrativ të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama po dëmton taksat e qytetarëve të Komunës së Prishtinës dhe Republikës së Kosovës.

Rrjeti i OJQ-ve AVONET, shpreh shqetësimin e thellë për mospërfilljen e provave dhe argumenteve të prezentuara nga ana jonë tek i pari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama në vazhdimësi që nga fillimi i këtij procesi, edhe pse ishte i informuar në detaje për shkeljet flagrante që po ju bëheshin dispozitave ligjore të legjislacionit pozitiv të aplikueshëm në Republikën e Kosovës. Pavarësisht këtyre argumenteve dhe provave të prezentuara z. Rama nënshkroi kontratën për kryerjen e punimeve në rrugën Xhim Xhema / Rruga A, me këtë rast bëri shkejle të dispozitave të Ligjit NR. 04/L-042, për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës.

Rrjeti i OJQ-ve AVONET, fton publikisht Prokurorinë Speciale të Kosovës të filloj hetimet ndaj z. Përparim Rama, në lidhje me rastin në fjalë, pasi që i njejti ishte i njoftuar në vazhdimësi për shkeljet që po bëheshin në këtë proces, por në asnjë moment nuk donte të i merrte parsysh këto shkelje, duke vepruar në mënyrë të njëanëshme, e sipas gjykimit të AVONET me këto veprime z. Rama, me vetëdije nuk ka respektuar dispozitat ligjore të Ligjit NR. 04/L-042, për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, për pasojë ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, e cila është manifestuar me nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik në fjalë.

Të gjitha këto veprime duhet të jenë alarm për Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe z. Rama duhet të hetohet për mundësinë e kryerjes së veprës penale nga nenin 414 (Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar), pasi që të gjitha këto prova të prezantuara sipas AVONET përbëjnë një dyshim mirë të bazuar për fillimin e hetimit dhe ndjekjes penale ndaj z. Rama.

 

Exit mobile version