Avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra tha të enjten në Hagë se njëri prej patologëve që ka bërë autopsinë e që dëshmitarit John Clarke i është kërkuar interpretim, ishte dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin ndaj Sllobodan Millosheviqit për masakrën e Reçakut.
Profesori në fjalë, sipas avokates ishte Stadica Dobricanin, për të cilin dëshmitari tha se me këtë person nuk ka pasur asnjë kontakt personal ose profesional, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Doktor Clarke, a e dini ju që Stadica Dorbricanin ka qenë dëshmitar i mbrojtjes për gjykimin e Millosheviqit në TPNJ dhe madje ka qenë dëshmitar fakti në mbrojtjen e Millosheviqit për masakrën e Reçakut që besoj se e njihni, a e dini ju këtë?”, tha Alagendra.
“Jo, nuk e dija këtë”, tha Clarke.
Dëshmitari u pajtua që mjekët e autopsisë duhet të jenë profesionalë dhe anshmëritë nacionaliste, ideologjike, personale dhe në veçanti ekspertëve të komuniteteve që janë përfshirë në konflikt, duhen marrë parasysh kur gjykohet paanshmëria e një eksperti të caktuar.
Ai mohoi se mori informacion nga ZPS-ja për anshmëritë politike dhe profesionale të profesor Dobricaninit, të cilat mund të kenë ndikuar në përfundimet e tij.
Me pas, avokatja kërkoi që t’i prezantohet një dokument, për çka kundërshtoi prokurori James Pace.
Ai tha se dokumenti në fjalë i ka vetëm dy faqe që mendohet se janë nxjerrë nga një dëshmi më e gjatë dhe nuk e kanë dëshminë në tërësi. Gjithashtu, ai tha se eksperti është një patolog kriminalistike dhe sa u takon viktimave për të cilat përmenden në aktakuzë, nuk përmenden viktimat e Reçakut.
Si rrjedhojë, prokurori kërkoi që të pyetet mbrojtja se cila është relevanca për këto pyetje. E Alagendra tha se dëshiroi që të marrë opinione prej dëshmitarit Clarke lidhur me fiziologjinë.
“Doja të merrja opinione prej doktor Clarke lidhur me fiziologjinë e kosovarëve. Pra, atributet fizike të kosovarëve. Karakteristikat e kosovarëve, sepse ka qenë në Kosovë dhe është në gjendje që të na e jep një mendim. Veç kësaj, do të kisha më shumë informacion sa i takon paanshmërisë së profesor Dobricaninit”, tha ai.
Si rrjedhojë, u rrëzua kundërshtimi i Prokurorisë dhe mbrojtja e Krasniqit vijoi me pyetje të veta.
Kur filloi seanca pas pushimit 30 minutash, Hashim Thaçi kërkoi që ta marrë fjalën pasi ishte i pranishëm përmes video-lidhjes. Si rrjedhojë, ndërhyri avokatja e tij, Nina Tavakoli duke kërkuar seancë private, gjë e cila u pranua nga trupi gjykues.
Ndërsa, për dëshmitarin nuk pati pyetje mbrojtja e Rexhep Selimit e përfaqësuar nga avokati Eric Tully.