E në këtë gjendje të rëndë shëndetësore, politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviq që u kërkoi falje shqiptarëve për krimet e Serbisë është dërguar nga spitali për në burg.
Avokati i tij, Çedomir Stojkoviq thotë se ai po dërgohet në burg edhe pse momentalisht e ka jetën në rrezik.
“Që nga momentin kur është dërguar në burgun qendror, nuk kemi informata. Nuk e dimë çfarë po ndodhë me të, si është gjendja e tij. Familja është e brengosur për gjendjen e tij shëndetësore edhe ashtu të rënduar. Nuk e dimë a do ta dërgojnë në Nish, apo do të mbetët në Beograd, sepse nuk i jepet asnjë informatë as familjes e as avokatit. Kjo gjë është shumë trishtuese për familjen”, tha ai për Tëvë 1.
Sipas Stojkoviqit, ai është rrahur nga pjesëtarët e sigurimit serb në ndërtesën e BIA-s, për arsye që ka përhapur urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule mbi varret e shqiptarëve.
Madje për të njëjtat arsye, është ngritur edhe aktakuzë për të.
“Pra sipas prokurorit, vendosja e luleve në varr shqiptari është vepër penale, e njëkohësisht vrasja e policëve kosovar nga ana e grupit të Radojçiqit, nuk është vepër penale për atë prokuror. Me urdhrin e kujt ka ndodhur kjo, unë vetëm mund të hamendësoj, mirëpo mund të ju them këtë, se regjimi i Aleksandër Vuçiqit ka shkaktuar aq shumë urrejtje ndaj Kosovës, me anë të medieve të tija, me propagandën e përditshme, të cilën regjimi i Aleksandër Vuçiqit e bënë ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Prandaj, kushdo që bën një hap në drejtim të pajtimit, regjimi, dhe jo vetëm regjimi, por kushdo që i beson atij, reagon që të ndrydhë dhe të eliminojë atë sjellje”, tha Stojkoviq.
Sipas Stojkoviq, primare për ta është lirimi i Sanduloviqit.
“Ne duam të njoftojmë të gjithë institucionet ndërkombëtare, organizatat, ambasadat sepse kjo është e papranueshme. Kërkojmë ndihmën e Perëndimit, që të na ndihmojnë në lirimin e sa më të shpejtë të klientit tim”.
Për rrahjen e Sanduloviq, reagime pati edhe nga Kosova.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është i shqetësuar se Sanduloviq ka mbetur i paralizuar si shkak i dhunës së përdorur nga shërbimi sekret serb.
“Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson tarifën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin. Gjithashtu përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sulm të ngjashëm me Putinin ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, ka thënë Kurti.
Sulmin ndaj tij e dënoi edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili kërkoi edhe reagim ndërkombëtar për gjendjen e tij.
“Duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë z. Sanduloviq, e duke uruar që ai të dalë edhe më i vendosur nga ky sulm i rëndë, i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”, ka thënë kryeparlamentari.
Deputetja britanike Alicia Kearns është shprehur e shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e tij.
“Tepër e shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e Nikolla Sanduloviq pas raportimeve se ai ishte brutalizuar nga inteligjenca serbe”, është shprehur ajo.
Për sulmin ndaj politikanit serb në Beograd, gjatë së premtes nuk kanë reaguar krerët shtetërorë të Serbisë. Deri në këtë periudhë, pa reagim janë edhe ndërkombëtarët.