Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, ka deklaruar se Kosova është një vend i qartë evropian, kurse Serbia një shtet i Putinit.
Reagimi i avokatit serb vjen pasi Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka zbuluar planin e qeverisë për miratimin e Kodit Civil gjatë vitit 2024, i cili lejon martesat e të njëjtës gjini.
“Kosova është një vend i qartë evropian. Serbia është vendi i Putinit. Europride u zhvillua në Kosovë pa asnjë problem. Në Serbi, Europride sigurohet nga ushtria dhe policia”, ka shkruar Stojakoviq në platformën “X”.
Më tej ai ka thënë se “Në Kosovë, ministrja e Drejtësisë qëndron në mbrojtje të komunitetit LGBTQ. Në Serbi, kryeministres lezbike nuk i lejohet të thotë publikisht asgjë për temën LGBT”, ka shkruar avokati serb.
“Është jetike për miratimin e Kodit Civil, veçanërisht kur i afrohemi anëtarësimit në Këshillin Evropian. Unë kam besim se ai do të kalojë këtë vit”, citohet të ketë thënë ministrja Haxhiu, duke shpalosur planin e Qeverisë, për miratimin e Kodit Civil gjatë vitit 2024, i cili lejon martesat e të njëjtës gjini.
Nëse Kodi Civil kalon në Parlament, Kosova do të bëhet vendi i parë me popullatë shumicë myslimane që njeh martesat e personave të gjinisë së njëjtë. /Telegrafi/