Me 14 dhjetor do të jetë seanca e radhës në Gjykatën Speciale në Hagë, ku do të jipet aktgjykimi i apelit në rastin e Sali Mustafës, bazuar në vendimin e shkallës së parë.
E për këtë çështje avokati, Kadri Osaj tha se në rast se vërtetohet vepra penale dënimi i shqiptuar prej 26 vitesh nuk është në përputhje me ligjin në fuqi. Derisa sipas tij, në qoftë se vërtetohet vepra penale, Sali Mustafës nuk mundet t’i shqiptohet dënimi më tepër se 15 vite.
“Në qoftë se vërtetohet do me thënë vepra penale, atëherë dënimi i shqiptuar prej 26 vite nuk është në përputhje me ligjin që është në fuqi. Kështu që është bërë një gabim aty, ka një hapësirë me u shqyrtu një dënim tjetër. Juridikisht ka gjasë t’i ulen vitet e dënimit duke e shfrytëzuar ligjin më të favorshëm, ka gjasë. Nuk mundet me i’u shqiptu më tepër dënim se 15 vite në qoftë se vërtetohet vepra penale, mos ta paragjykojmë çështjen “, tha avokati Osaj në emisionin “Ditari” në Tëvë1.