Avokati Skender Musa, sa i përket procesit të Gjykatës Speciale dhe dëshmitarëve atje, ka thënë se ka raste që prokuroria kërkon edhe të hiqet dorë nga dëgjimi i ndonjë dëshmitari.
“Pavarësisht se për cilët dëshmitarë bëhet fjalë, duhet të meret edhe pajtimi nga ana e mbrojtjes dhe të akuzuarve, ka raste kur prokuroria kërkon të hiqet dorë nga dëgjimi I një dëshmitari, mirëpo kërkon që dëshmia e tij e dhënë të shqyrtohet si provë,” ka thënë Musa në “Five”.
Është edhe metoda tjetër, sipas Musajt, që prokurori heq dorë në tërësi nga dëshmia e dhënë dhe ato dëshmi nuk shqyrtohen nga trupat gjykyese.
“Natyrisht që dëshmitarët që propozohen që të lexohen dëshmitë e tyre nëse janë kundër të akuzuarve dhe mund të konsiderohen të rrezikshme për mbrojtjen duhet të kundërshtohen nga ana e mbrojtësve,” shtoi Musa.
E sa i përket numrit të dëshmitarëve, Musa tha se ata duhet të reduktohen.
“Numri i dëshmitarëve ka me u reduktu sepse cdo person që ka qenë i gatshëm të flasë kundër UÇK, konsideroj që është marrë si dëshmitarë nga frika se nuk do të ketë dëshmitar kredibil. Nga fillimi i Gjykatës Speciale kam menduar se numri do të reduktohet, numri i dëshmitarëve që nuk kanë asnjë lloj informacioni dhe nuk mund të dëshmojnë asgjë dhe numri i dëshmitarëve nga ana e mbrojtjes mund të zvogëlohet.”
Procesi gjyqësor, sipas tij, ka për të vazhduar dhe po shkon më shpejt.
Ndërsa, Xhevdet Thaçi-kryetar i degës së veteranëve në Has ka thënë se Gjykata Speciale është tejzgjatur.
“Gjykata speciale është stërzgjatur, ne e kemi votuar vetë dhe për ne është e arsyeshme, procedurat të cilat kanë vazhduar 3 vite të mbahen në paraburgim nuk do duhej të ndodhin, sepse ne dhamë shembull në tribunalin e Hagës që një kryeministër i joni dha dorëheqje për t’u ballafaquar.”
E që sipas tij ky proces është dashur të fillojë me kohë dhe që brenda UÇK-së ka qenë një rregull, ka qenë në nivel tjetër, e disiplinuar dhe humane.