Avokati Arianit Koci ka shkruar se nuk duhet të hetohen vetëm komisionerët për dallavere me vota.
Ai ka thënë se zgjedhjet janë zinxhir, përderisa ka përmendur KQZ-në e PZAP-në.
Postimi i plotë:
Nuk mjafton të hetohet vetëm komisioneri në terren dhe deputeti që eventualisht ka përfituar, kur ka dyshime për vjedhje votash.
Procesi zgjedhor është zinxhir dhe përgjegjësia duhet kërkuar në çdo nivel ku çojnë faktet.
Nëse flasim për vjedhje industriale të votës, të organizuar dhe të koordinuar, duhet parë edhe roli i atyre që kanë pasur detyrim ligjor ta parandalojnë.
Në këtë kontekst hyn KQZ (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve), institucioni që organizon procesin dhe shpall rezultatet.
KQZ përbëhet nga 11 anëtarë: kryesuesi emërohet prej Presidentit nga radhët e gjyqtarëve, ndërsa anëtarët propozohen nga partitë politike sipas përfaqësimit që kanë në Kuvend, si dhe nga përfaqësues të komuniteteve.
Për këtë arsye, nëse ka dyshime për manipulime me vota, duhet hetuar nëse brenda këtij mekanizmi ka pasur dijeni, tolerim, apo mosveprim.
Njësoj, edhe PZAP (Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa) – organi që vendos për ankesat zgjedhore, duhet të jetë pjesë e verifikimit nëse ankesa serioze janë refuzuar pa bazë ose janë anashkaluar parregullsi.
Përndryshe, PZAP përbëhet nga 11 anëtarë, gjyqtarë, të emëruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Megjithatë, zinxhiri vazhdon edhe përtej institucioneve. Komisionerët zakonisht propozohen nga partitë politike. Nëse manipulimi del i organizuar, atëherë duhet hetuar edhe struktura partiake: kush ka koordinuar, kush ka dhënë udhëzime, kush ka përfituar.
Vjedhjet e votave bëhen për përfitime personale dhe partiake: mandate, pushtet, ndikim dhe kontroll mbi resurset publike. Mbi të gjitha, bëhen për sigurimin e avantazhit politik.
Nëse provat çojnë drejt niveleve më të larta, duhet menduar edhe hetimi i ndonjë kryetari partie.
Askush nuk duhet të jetë i paprekshëm.
Boll mo!






