Madje, Koci ka thënë se ka përshtypjen që ekipi i përkthimit është nga Shqipëria dhe ata nuk e njohin të folurën e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Disa vërejtje në lidhje me përkthimin. Jam i vetëdijshëm për rolin tim shumë specifik në këtë proces, por nëse me lejon gjykata, 2-3 fjalë i kisha dhënë në lidhje me përkthimin, me gjithë respektin për gjykatën. Po filloj me shqiptimin e gabuar të mbiemrit tim. Vazhdimisht thonë Koçi e është Koci. Kam përshtypje që ekipi i përkthimeve nuk e njeh kontekstin kosovar dhe të folmen e gjuhës tonë në Kosovë. Edhe pse e flasim gjuhën e njëjtë, kam përshtypjen se përkthyeset janë të Shqipërisë. Për shembull, ka probleme nëse nuk e njeh kontekstin me e përkthyer fjalën ‘ka dek prej deke’”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë parashtrim të Kocit, ka pasur kundërshtime prokurori James Pace, duke thënë që avokatit kujdestar nuk i takon që të trajtojë këto aspekte.
“Ka procese të tjera për t’i trajtuar këto aspekte. Nuk i takon avokatit kujdestar t’i trajtojë këto”, ka thënë Pace.
Me këtë gjë është pajtuar edhe kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, duke i thënë se nuk është kompetencë e tij që të bëjë këto parashtrime.
“Avokat na vjen keq, por duhet të pajtohemi. Nuk është kompetencë e juaja që të bëni parashtrime të tilla”, ka thënë Smith.
“Mendova që është edhe detyrë e imja me e ndihmuar gjykatën”, ka thënë Koci