2.2 C
New York
Sunday, December 21, 2025

Buy now

Avokati i Popullit: Pensionistët kategoria më e diskriminuar në Kosovë, nuk duhet të përballen me barriera të padrejta

- Advertisement -

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka vënë në dukje vështirësitë e shumta që përballen pensionistët në Kosovë për të marrë të drejtën e tyre të pensionit, duke komentuar vendimin e Gjykatës Supreme që shpalli të paligjshëm udhëzimin administrativ që detyronte pensionistët të paraqiteshin personalisht për të dëshmuar se janë gjallë.

Qelaj për Ekonomia Online tha se vendimi është i drejtë, por theksoi se sistemi pensional ka nevojë për reforma dhe përmirësime, në mënyrë që të mos krijohen pengesa për qytetarët më të moshuar.

Qelaj ka shtuar se shqetësim përbën fakti që institucionet, veçanërisht ato që kanë kompetenca për nxjerrjen e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit, duhet të veprojnë me kujdes, pa tejkaluar ligjet dhe duke respektuar frymën e ligjit.

“As një herë nuk i komentoj ose nuk hy në vlerësim të vendimeve gjyqësore, por në këtë rast mendoj se ka qenë një vendim shumë i drejtë. Sidomos te pjesa e mos kthimit të pensioneve kur është lajmëruar pas kohe, sepse këtu ne e kemi konsideruar dhe kemi shprehur edhe qëndrimin tonë publik, konsiderojmë një ndërhyrje direkte të një të drejtë të fituar me ligj e cila nuk mund të mohohet me akte ligjore. Ajo që unë konsideroj shqetësuese edhe që besoj dhe duhet shumë që të punohet në të ardhmen në krejt institucionet, sidomos institucionet që kanë kompetencë për t’i nxjerr aktet nënligjore për të zbatuar një ligj, është kujdesi që aktet nënligjore asnjëherë mos t’i tejkalojnë ligjet, gjithmonë me qenë në frymën e njëjtë të ligjit dhe asnjëherë mos të krijojnë situata me njoftuar ose mohuar të drejta që ligji i ka përcaktuar dhe i ka njohur,” tha ai.

Avokati i Popullit vuri në dukje se praktika e keqe e përdorimit të akteve nënligjore që cenojnë parimin e ligjshmërisë nuk është e kufizuar vetëm në këtë rast.

Ai ka përmendur shembuj të tjerë, përfshirë rregullore të doganave dhe komisione rivlerësimi për persona me aftësi të kufizuara, të cilat sipas tij nuk janë vlerësuar mjaftueshëm dhe shpesh bien në kundërshtim me ligjin.

“Kjo nuk po ndodh vetëm me këtë ligj, ne kemi pasur edhe ligje të tjera, edhe udhëzime të tjera administrative ose akte nënligjore që janë gjetur me shkelje të ngjashme. Ta zëm kohëve të fundit kemi dalur me një raport me një rregullore të doganave lidhur me tarifat doganore tek personat me aftësi të kufizuar, ose tek përcaktimi i kriterit të moshës për tu punësuar në dogana, ose tek paraqitja ose lajmërimi i personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë në komision rivlerësim. Por janë edhe një numër i madh i akteve të tjera nënligjore që besoj nëse rishikohen me kujdes dhe nëse vlerësohen mjaftueshëm, janë në kundërshtim me ligjin”.

“Kjo praktikë është e dëmshme në shumë aspekte. E para, nuk e ruan parimin e ligjshmërisë, aktet nënligjore nuk janë në përputhje me ligjislacionin dhe mund të cenojnë edhe kushtetutshmërinë; dhe e treta, sa ne po i zbatojmë parimet e sundimit të ligjit të një shteti të së drejtës, ku asnjë vendim ekzekutiv nuk mund të ketë ndërhyrje përtej asaj që përcaktohet me ligj”, tha ai.

Ai ka theksuar nevojën për rishikim dhe reformim të sistemit pensionale, duke u fokusuar jo vetëm në vlerat monetare të kompensimit, por edhe në ofrimin e shërbimeve të tjera për pensionistët, të cilët konsiderohen si kategoria më e diskriminuar në shoqëri.

“Unë konsideroj vendim të drejtë, mirë që është iniciuar si çështje se a duhet të lajmërohen apo s’duhet të lajmërohen, janë praktika të vendeve të tjera. Duhet të rishikohet jo vetëm ky ligj, por duhet të ketë një reformë pensionale në Kosovë sepse nuk është vetëm ky problem që i prek sot kategoritë e caktuara të qytetarëve, por është shumë më i shprehur edhe në shumë situata”, tha ai.

Avokati ka thënë se pensionistët janë kategoria më e diskriminuar në shoqëri, përballë barrierave administrative dhe mungesës së mbështetjes së duhur sociale dhe shëndetësore.

“E pra, mendoj që jo gjithmonë mbështetja sociale duhet të fokusohet vetëm te vlerat monetare të kompensimit në të holla. Gjë që po patjetër dhe është detyrimi dhe duhet të jetë në përputhje me nevojat dhe standardet e jetës për të garantuar një minimum të asaj që konsiderohet si nevojë për të siguruar ekzistencën. Por duhet të përqendrohet shumë edhe në ofrimin e shërbimeve të tjera. Pensionistët mendoj që janë kategoria më e diskriminuar në shoqëri momentalisht. Këto e themi të bindur për nga ato që kanë dalur nga rezultatet e hulumtimeve dhe hetimeve që ne kemi filluar. Sepse në çdo segment ku kemi provuar me hetuar kemi pranuar ankesa ose kemi marrë informata nga shoqëria civile se po ndodh diskriminim dhe e kemi hetuar në raport me pensionistë na ka dalur situata keq”, tha ai.

Qelaj ka theksuar se veçanërisht pensionistët mbi 65 vjeç përballen me vështirësi për shkak të mungesës së shërbimeve publike dhe kufizimeve në shërbimet shëndetësore për personat me çrregullime të shëndetit mendor.

Ai ka thënë se kjo situatë rëndon mbi familjet dhe duhet adresuar me përmirësime të mekanizmave administrativë për mbrojtjen e pensionistëve, duke garantuar një jetë më të dinjitetshme.

“Duke filluar nga ofrimi i shërbimeve shëndetësore, ekziston një praktikë e keqe në Kosovë që udhëzimet dhe aktet nënligjore për të cilat folëm më herët, edhe në aspektin e protokolleve shëndetësore, e kufizojnë shërbimin shëndetësor të shëndetit mendor për personat mbi 65 vjet. Dhe paramendoni sa ballafaqohen me probleme të këtij shëndeti personat mbi 65 vjeç, me Alzheimer, me forma të tjera të çrregullimeve të shëndetit mendor, që natyrisht në situatën e mungesës së shërbimeve publike ata natyrisht këtë pjesë e bartin familjet. Në anën tjetër, ju e dini që një pensionist nuk mund të marrë kredi, një pensionist nuk mund të sigurohet nga sigurimet shëndetësore private, një pensionist i mungojnë edhe shumë të drejta të tjera dhe këto janë shqetësimet e institucioneve. Me i zbatuar rekomandimet që i kemi dhënë, duhet t’i adresojmë në përzgjedhjen e problemit të të moshuarve në Kosovë, personat mbi 65 vjeç, me pas një jetë më të dinjitetshme,” tha ai.

Gjykata Supreme theksoi se paragrafët e udhëzimit administrativ që ndalonin pagesën e pensioneve për moslajmërim të statusit të jetës janë të kundërligjshëm. Supremja theksoi se përgjegjësia e parë për verifikimin i takon Ministrisë dhe jo pensionistit, dhe se suspendimi i pensionit duhet të jetë masa e fundit dhe jo e para.

Pensioni i moshës në Kosovë është 150 euro, ndërsa pensioni kontributpagues aktualisht sillet nga 218 deri në 318 euro në muaj, varësisht nga niveli i arsimimit.

Të ngjashme

Të fundit