14.9 C
New York
Wednesday, May 14, 2025

Buy now

Avokati i Popullit ia numëron shkeljet Trendafilovës: Fakti që Specialja s’i beson institucioneve të Kosovës është i papranueshëm

- Advertisement -

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, priti të martën në takim kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, me kërkesë të saj.

Në njoftimin e publikuar në Facebook, institucioni bëri të ditur se Qelaj ngriti një sërë shqetësimesh lidhur me punën e Dhomave të Specializuara, duke u mbështetur në ankesat e palëve të përfshira.

Qelaj shprehu dyshime për garantimin e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht në lidhje me barazinë e armëve dhe mënyrën e sigurimit të provave nga Serbia. Ai theksoi rrezikun e komprometimit të këtyre provave dhe vështirësitë që ka mbrojtja në kundërshtimin e tyre.

Ai gjithashtu ngriti shqetësime për strukturën e brendshme të Dhomave, duke theksuar se konsolidimi i të gjitha niveleve të gjykatës në një strukturë të vetme nuk është në frymën e e standardeve ndërkombëtare që garantojnë gjykim të drejtë . Qelaj vuri në dukje edhe përfshirjen e Dhomës Kushtetuese brenda kësaj strukture si shqetësim për ndarjen e pushteteve.

Një tjetër çështje e rëndësishme e ngritur ishte përgjimi i bisedave dhe vizitave në paraburgim, që mund të cenojë privatësinë dhe mbrojtjen efektive. Ai kritikoi edhe kohëzgjatjen e paraburgimit dhe mungesën e zbatimit të masave alternative.

Qelaj kërkoi trajtim të barabartë për të dëmtuarit, njësoj si në gjykatat e Kosovës, dhe theksoi se, pavarësisht kufizimeve të mandatit të tij ndaj Dhomave, ai ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore për të reaguar kur standardet e të drejtave të njeriut vihen në dyshim.

Në përfundim, ai kërkoi më shumë transparencë dhe sqarime publike për çështjet e ngritura, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrit mes drejtësisë dhe të drejtave themelore të njeriut.

Këto shqetësime Qelaj i ka adresuar edhe para tre javësh për emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

Të ngjashme

Të fundit