Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në tri herë. Gjykata Kushtetuese po ashtu ka urdhëruar deputetët që të jenë të pranishëm në seancën konstituive dhe të marrin pjesë në votim.
Avokati i PDK-së, Faton Fetahu ka thënë se ky vendim përfaqëson një kthesë vendimtare në zgjidhjen e njërës prej krizave më të thella kushtetuese dhe parlamentare në historinë e Republikës sonë.
Fetahu ka shkruar se vendimi i sotëm është rikthim në kushtetutshmëri, një mbrojtje e rendit parlamentar, dhe një dëshmi se besimi në Kushtetutë dhe drejtësinë kushtetuese është themeli i stabilitetit shtetëror.
“Ky vendim është më shumë sesa një fitore juridike. Është një rikthim në kushtetutshmëri, një mbrojtje e rendit parlamentar, dhe një dëshmi se besimi në Kushtetutë dhe drejtësinë kushtetuese është themeli i stabilitetit shtetëror.
Me përulësi, e konsideroj këtë rast si një nga kontributet më të rëndësishme profesionale që kam dhënë në jetën institucionale të vendit, duke ndihmuar në zhbllokimin e Kuvendit dhe në rivendosjen e legjitimitetit demokratik në funksionimin e tij. Kosova ka Kushtetutë. Ka rregull. Ka rend. Dhe ka rrugëdalje kur i mbesim besnikë frymës dhe vlerave të rendit kushtetues”, ka shkruar Fetahu.
Reagimi i plotë:
Zgjidhja kushtetuese që e paralajmërova me kohë – sot u bë realitet!
Sot, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës aprovoi kërkesën KO193/25, të parashtruar nga deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së, të cilën pata nderin ta hartoj dhe ta dorëzoj në cilësinë e përfaqësuesit të tyre të autorizuar. Ky vendim përfaqëson një kthesë vendimtare në zgjidhjen e njërës prej krizave më të thella kushtetuese dhe parlamentare në historinë e Republikës sonë.
Gjykata Kushtetuese vendosi:
– Ta shpallë të pavlefshëm “Komisionin për Votim të Fshehtë”, të propozuar nga shumica parlamentare në seancën e 29 qershorit 2025, me arsyetimin se cenon rendin e ditës të seancës konstituive – i cili është i mbyllur, solemn dhe i pandryshueshëm;
– Të konstatojë se ndërprerja e njëanshme e seancës nga Kryesuesi Avni Dehari përbën shkelje të Kushtetutës dhe të aktgjykimit KO124/25, dhe se veprimet e tij janë në papajtueshmëri me nenin 116 të Kushtetutës;
– Të shpallë të pavlefshme të gjitha seancat e Kuvendit të mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025, për shkak të moszbatimit të aktgjykimit të mëhershëm dhe shkeljeve të rënda procedurale dhe kushtetuese;
– Të urdhërojë Kryesuesin që të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës të seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, duke i dhënë grupit më të madh parlamentar të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar Kuvendi – e drejtë kjo që mund të realizohet vetëm deri në tre herë për të njëjtin kandidat;
– Të urdhërojë të gjithë deputetët e zgjedhur që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, duke garantuar kështu integritetin dhe përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese;
– Të caktojë një afat 30-ditor për zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi.
Kam qenë thellësisht i bindur në këtë epilog që në fillim. Që në muajin shkurt 2025, në një analizë të shkruar, kam paralajmëruar rrezikun institucional që po formësohej dhe kam ofruar një zgjidhje kushtetuese të bazuar në jurisprudencën e Gjykatës (rasti KO103/14), në Rregulloren e Kuvendit dhe në frymën e Kushtetutës.
Sot, ajo zgjidhje u konfirmua dhe afirmua nga vetë Gjykata si rruga e vetme legjitime dhe kushtetuese.
Ky vendim është më shumë sesa një fitore juridike. Është një rikthim në kushtetutshmëri, një mbrojtje e rendit parlamentar, dhe një dëshmi se besimi në Kushtetutë dhe drejtësinë kushtetuese është themeli i stabilitetit shtetëror.
Me përulësi, e konsideroj këtë rast si një nga kontributet më të rëndësishme profesionale që kam dhënë në jetën institucionale të vendit, duke ndihmuar në zhbllokimin e Kuvendit dhe në rivendosjen e legjitimitetit demokratik në funksionimin e tij.
Kosova ka Kushtetutë. Ka rregull. Ka rend. Dhe ka rrugëdalje kur i mbesim besnikë frymës dhe vlerave të rendit kushtetues.