Taulant Ferizi, avokati mbrojtës i kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqit – ka paraqitur sot ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për lirimin e klientit të tij pasi që, sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet që Krasniqi të jetë në mbajtje.
Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Ferizi ka thënë se në ankesën e tyre kanë paraqitur pretendimet se nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e ndaljes meqë i arrestuari, Nagip Krasniqi nuk paraqet rrezik për ndërhyrje në prova ose tek dëshmitarët.
“Kemi bërë ankesë. Nuk kemi marr ende vendim. Kemi pretendua se nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e ndaljes ndaj klientit meqe nuk ka as rrezikim në prova e dëshmitar apo të dëmtuar edhe se nuk ekziston dyshimi i dyshuar i kryerjes së veprës penale”, ka thënë Ferizi për Gazetën Insajderi.
Të mërkurën, gjatë ditës është arrestuar drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi. Kështu kishte njoftuar Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media.
Në komunikatë thuhet se Krasniqi është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprat: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.