Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është liruar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pasi gjykatësi vendosi se mbajtja e tij në paraburgim nën akuzat për pengim të drejtësisë nuk ishte “as e arsyeshme, as proporcionale”.
Avokati Taulant Hodaj, në emisionin FIVE ka sqaruar se lirimi i Kilajt me kusht nuk lidhet me ose mos pranimin e fajësisë.
Ai ka shpjeguar se vendimi për lirimin e Kilajt është bërë duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim dhe peshën e veprës penale.
“Në rastin e caktimit të paraburgimit shikohet pesha e veprës penale, mënyra dhe lartësia e dënimit, dhe gjithmonë është në praktik që në rastet kur kalon një kohë të konsiderueshme në paraburgim kalon kohën siç parashihet me ligjin e aplikueshëm atëherë zakonisht duhet të lirohet apo të shihet masat tjera të sigurisë. Pra masa e paraburgimit është vetëm më e rënda dhe gjykata ka vlerësuar drejtë që peshojnë më shumë argumentet në favor të lirimit me kusht, sesa mbajtjen në paraburgim të tij”, ka deklaruar ai.
Kushtet që Kilaj duhet të respektojë, sipas tij përfshijnë, moskontaktimin me dëshmitarët, mosmanipulimin me prova, mosndikimin e dëshmitarëve dhe përgjigjen ndaj thirrjeve të gjykatës.
Avokati Hodaj ka theksuar se mund të ketë edhe kushte të tjera që nuk mund t’i bëjnë publike.
Hodaj gjithashtu sqaron se lirimi i Kilajt nuk hap rrugë për të tjerët me akuzat për krime lufte.
“Nuk mund të diferencohen veprat penale kundër administrimit të drejtësisë apo krimeve të luftës, pesha e veprës penale dhe lartësia e dënimit dallon. Nëse në këtë rast vepra penale kundër krimeve të lutës do të ishte dënimi minimal 1 2 3, do të ishte aplikuar e njëjta por dënimet janë të larta dhe për atë nuk e kanë aplikuar deri tani”, ka deklaruar Hodaj.
Kilaj akuzohet së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun për pengim të drejtësisë në gjyqin për krime lufte ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./Telegrafi/






