Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka marrë një vendim, duke vendosur se ekzaminimi i telefonave pa urdhër gjyqësor shkel Kushtetutën dhe është praktikë e papranueshme, kështu bëri të ditur avokati Faton Fetahu.
Ky është një rast i fituar nga Fetahu, i cili tha se ky rast vendos një standard të ri për mbrojtjen e privatësisë në Kosovë, duke i dhënë fund praktikës së hapjes dhe ekzaminimit të telefonave pa urdhër gjyqësor.
“Një normë e shkruar qartë në Kushtetutë, nga sot (fatkeqësisht vetëm pas 17 vitesh nga miratimi i saj) merr jetë në kuptimin mbi thelbin e saj. E Drejta e Privatësisë, duke qenë njëra prej të drejtave themelore të njeriut, është e pacenueshme dhe mund të kufizohet përkohësisht, dhe atë vetëm me vendim gjyqësor”, tha Fetahu përmes një shkrimi në Facebook.
Tutje, Fetahu shton se nga tani e tutje telefoni i çdo qytetari është i mbrojtur nga ndërhyrjet arbitrare.
Ai përmendi një rast të klientit të tij, Sh.P., i cili ka kaluar më shumë se dy vite në paraburgim mbi bazën e provave që tani janë shpallur të marra në mënyrë të paligjshme dhe të kundërkushtetuese.
“Nuk mund të lihet pa u theksuar se klienti im, Sh.P., ka kaluar më shumë se dy vite në paraburgim mbi bazën e provave që sot u shpallën të marra në mënyrë të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese dhe, aq më keq, ka dyshime të forta se këto prova janë manipuluar dhe fabrikuar kundër tij. Vendimi që pranuam sot është hap i rëndësishëm drejt korrigjimit të kësaj padrejtësie dhe vendosjes së një precedenti që mbron të tjerët nga raste të ngjashme”, tha Fetahu.






