Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese, për ta shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese nga moskonsituimi i Kuvendit.
Lidhur me këtë avokati Ardian Bajraktari ka sqaruar për Periskopin këtë kërkesë të Osmanit, duke shprehur dyshime nëse kjo Kushtetuesja do të marrë në shqyrtim rastin.
Në një prononcim për Periskopin, Bajraktari ka theksuar se praktika e Gjykatës Kushtetuese që nga viti 2018 ka qenë që të mos trajtojë kërkesat që adresohen në formë të pyetjeve, duke ngritur kështu pikëpyetje mbi fatin e iniciativës së Presidentes.
“Fillimisht sa i përket kërkesës së Presidentes në adresë të Gjykatës Kushtetuese, duhet parë nëse Gjykata do ta shqyrton këtë çështje, ngas nga viti 2018 e këndej nuk është marrë me shqyrtimin e kërkesave të adresuara në formë të pyetjeve, megjithatë mbetet të shihet se si do të veprohet në rastin konkret,” ka deklaruar ai.
“Krahas kërkesës për sqarim të pasojave, Presidentja ka paraqitur edhe kërkesën për masë të përkohshme – për pezullim të rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh të vendosur nga Gjykata, brenda të cilit afat duhet të konstituohet Kuvendi, duke e interpretuar nenin 66 paragrafin 1 të Kushtetutës. Pra është kërkuar pezullimi i këtij afati,” ka theksuar Bajraktari.
Ai ka shpjeguar se, sipas nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit ka kompetencë të vendosë masa të përkohshme, qoftë me kërkesë të palës apo edhe me iniciativë të vet, për të parandaluar dëme të pariparueshme ose nëse veprimi është në interes publik.
“E sa i përket masës së përkohshme, sipas nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të palës mund të vendos përkohësisht masa të përkohshme ndaj një çështjeje që është objekt i procedurës, nëse këto masa janë të nevojshme për të evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme, ose nëse marrja e këtyre masave të përkohshme është në interes publik,” ka sqaruar avokati.
Për fund, Bajraktari ka theksuar se çdo masë e përkohshme që mund të merret duhet të jetë në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe kohëzgjatjes së arsyeshme.
“Kurse kohëzgjatja e masave të përkohshme duhet të jetë e arsyeshme dhe proporcionale.”, ka thënë ai.