Në Gjykatën Themelore të Prizrenit u mbajt mbrëmë seanca paraprake për 39 të arrestuar nën dyshimin për zhvatje të mbi 1 milion eurove nga Byroja Kosovare e Sigurimeve.
Prokurori i rastit, Labinot Jetishi, ka paraqitur në gjykatë, kërkesën që ndaj të dyshuarve në këtë rast të shqiptohet masa “Paraqitja në stacion policor dhe – ndalim për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar”, përveç katër prej tyre, masën e paraburgimit.
Por, përtej kërkesës së prokurorisë, gjyqtari i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi, vendosi që të gjithë të dyshuarit t’i rikthej nën masën e mbajtjes, me arsyetimin se “sonte nuk mund t’a shkruaj vendimin për ta”, ashtu siç ishin që nga 8 janari kur edhe u arrestuan.
Vendimi ka nxitur reagime nga përfaqësuesit ligjorë prej dy të dyshuarve, përcjell Klankosova.tv.
Bedrie Berisha Rexhepi ka deklaruar se rikthimi i të arrestuarve në paraburgim është në kundërshtim me ligjin, pasi Prokuroria kishte propozuar masa alternative dhe mbajtja e tyre pas skadimit të afatit maksimal prej 48 orësh nuk ka bazë ligjore.
“Gjykata në Prizren, në kundërshtim me ligjin, ka vendosur rikthimin në Qendra të Paraburgimit të 35 të pandehurve, ndonëse Prokuroria e Prizrenit kishte propozuar masa alternative, përfshirë paraqitjen në stacion policor dhe ndalimin e afrimit me objektin e BSK-së, si dhe ndalimin e kontaktit ndërmjet të pandehurve.
Më alarmante është fakti se këta persona edhe sot po mbahen ende në ndalim në Qendra të Paraburgimit edhe pas skadimit të afatit maksimal prej 48 orësh të ndalimit, pa asnjë bazë ligjore. Pritja e një vendimi apo e arsyetimit të tij nuk përbën justifikim ligjor për mbajtjen e tyre jashtë këtij afati”, shkroi ajo në Facebook, përcjell Klankosova.tv.
Po ashtu, avokati Driton Muharremi ka shkruar se situata të veçanta, përfshirë një grua shtatëzënë në muajin e shtatë dhe një person me trajtim onkologjik, të cilët po mbahen ende në paraburgim jashtë afatit ligjor.
“Përveç që gjykata ne Prizren dje kunderligjshem vendosi ti kthej ne Qendren e Paraburgimit ne Lipjan 35 te pandehurit ( mesin e tyre nje grua shtatezene ne muajin e 7 dhe nje me trajtim onkologjik) per te cilet Prokuroria e Prizrenit kishte propozuar masen e Paraqitjes ne Stacion Policor dhe ndalimi per tiu afruar objektit te BSK dhe te pandehurve mes veti, tani kunderligjshem po i mban edhe pas skadimit te afatit prej 48 oreve te ndalimit!
Qendra paraburgimit ne Lipjan ne vend se ti liroje menjehere keta 35 persona, po pret vendim prej gjyqtarit edhe pse e dijne qe nuk kane te drejte asnje minute ma shume ti mbajne sepse shkelin te drejtet e tyre te garantuara!”, shkroi Muharremi.






