Në njërin nga mocionet e shumta kundër prokurorit të posaçëm Jack Smith, avokatët e zotit Trump përsëritën argumentet që përgjithësisht u hodhën poshtë nga gjykata e apelit këtë muaj në Uashington, për një akuzë tjetër ndaj tij, atë të ndërhyrjes në zgjedhjet e vitit 2020. Zoti Trump ka kërkuar nga Gjykata e Lartë amerikane të shprehet për imunitetin e tij, ndërkohë që si kandidati kryesor republikan për zgjedhjet presidenciale po mundohet të vonojë gjyqin deri pas zgjedhjeve të nëntorit.
Avokatët e zotit Trump argumentojnë se akuzat rreth dokumenteve sekrete bien mbi bazën e vendimit të tij për t’i konsideruar këto dokumente si shënime “personale” në bazë të Nenit mbi Dokumentet Presidenciale. Ata argumentojnë se ai nuk mund të përndiqet meqë bëhet fjalë për një “akt zyrtar” që ai e ka bërë gjatë periudhës kur ishte ende në Shtëpinë e Bardhë.
Gjykata federale e apelit në Uashington në vendimin e saj gjatë muajit shkurt u shpreh shumë qartë duke e hedhur poshtë këtë pohim të pazakontë të zotit Trump se ish presidentët gëzojnë imunitet absolut për veprimet që përfshijnë detyrat e tyre zyrtare. Por avokatët e zotit Trump argumentuan se vendimi i gjykatës së apelit është i gabuar dhe i thanë gjykatëses së qarkut në Florida Aileen Cannon se ajo nuk duhet ta marrë parasysh në rastin që ajo po gjykon për dokumentet sekrete, pasi ai ishte një “vendim i arsyetuar dobët”.
Në dokumentet e dorëzuara në gjyq të enjten mbrëma, avokatët e zotit Trump argumentuan se emërimi i prokurorit të posaçëm Smith nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland ishte “i jashtëligjshëm” dhe përbën bazën mbi të cilën rastin duhet të hidhet poshtë. Ata po ashtu kritikojnë edhe ligjin në bazë të cilit është akuzuar zoti Trump, si “të paqartë nga aspekti kushtetues” për mënyrën se si po zbatohet ndaj zotit Trump.
Zoti Trump akuzohet se ka mbajtur në kundërshtim me ligjin dokumente sekrete në pronën e tij në Mar-a-Lago dhe se ka penguar përpjekjet e qeverisë për t’i rikthyer ato. Aktpadia e qershorit të vitit 2023 që e ngarkon atë me dhjetëra kundërvajtje pretendon se hetuesit gjetën kuti me dokumente sekrete të mbajtura pa kujdes në hapësirat e pronës së tij në Mar-a-Lago, përfshirë në dhomën e ballos, në banjë, në një vaskë dushi, në dhomën e tij të fjetjes dhe në një dhomë që përdorej si depo.
Prokurorët thonë se dokumentet, që refuzoi t’i kthente dhe që në disa raste ua ka treguar vizitorëve rrezikojnë jo vetëm marrëdhëniet me shtetet e huaja por edhe sigurinë e trupave amerikane dhe burimet sekrete. Ata e akuzojnë zotin Trump se ka kërkuar nga një punonjës të fshijë regjistrimet e kamerave në pronën e tij në Florida në përpjekje për penguar hetimet federale.
Gjyqi për këtë rast pritet të fillojë në muajin maj, por gjykatësja Cannon i ka shtyrë disa herë afatet dhe është treguar e hapur që të rishikojë datën e gjyqit gjatë një seance para gjyqësore që është caktuar të mbahet në muajin mars. Ky është njëri nga katër rastet penale me të cilat përballet ish presidenti ndërkohë që garon për t’u rikthyer në Shtëpi të Bardhë në nëntor.
Çështja tjetër e prokurorit Smith kundër zotit Trump, që e akuzon atë për planifikim të përmbysjes së rezultateve të zgjedhjeve më 2020, duhet të dilte në gjyq në mars, por kjo datë është anuluar ndërkohë që ish presidenti po apelon aktpadinë mbi bazën e pretendimet të imunitetit presidencial.
Në një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Lartë thuhet se presidentët gëzojnë imunitet nga mbajtja e përgjegjësisë për çështje civile për veprime zyrtare dhe avokatët e zotit Trump me muaj të tërë kanë argumentuar se një mbrojtje e tillë duhet të vlejë edhe për përndjekjet penale.
Vendimi i Gjykatës së Lartë dhe koha kur do të shpallet, do të përcaktojë nëse gjyqi për çështjen e zgjedhjeve të vitit 2020 do të fillojë para zgjedhjeve të nëntorit, apo jo. Si e tillë, ajo do të ketë pasoja të mëdha politike, meqë zoti Trump – nëse fiton – mund të përdorë autoritetin e tij për t’i mbyllur çështjet federale. Ose mund të falë veten – një alternativë e paprovuar ndonjëherë në rrugë ligjore./VOA/