Një pilot i cili po fluturonte mbi një qytet të Misisipit për orë të tëra dhe kërcënoi se do të përplasej në një nga dyqanet e Walmart, ka ulur avionin në mënyrë të sigurt pas bisedimeve me policinë.
Guvernatori i shtetit Tate Reeves shkroi në Twitter se askush nuk ishte lënduar, duke falënderuar forcat e rendit në Tupelo.
Walmart dhe një dyqan tjetër aty pranë u evakuuan më herët, ndërsa qytetarëve iu kërkua të shmangnin zonën.
Detajet e bisedës mes pilotit dhe policisë, ndërsa ai ishte në ajër, apo identiteti i tij, nuk u bënë publike menjëherë.
Megjithatë, mediat lokale raportojnë se piloti u arrestua pas uljes së avionit, shkruan BBC.
Policia fillimisht u njoftua rreth orës 05:00 me kohën lokale të shtunën për një aeroplan që fluturonte mbi qytet, tha një deklaratë e mëparshme.
Në atë kohë, policia e përshkroi atë si një “situatë të rrezikshme”.
Deklarata shtoi se avioni ka të ngjarë të ishte një lloj “King Air” – duke iu referuar një aeroplani të vogël të shërbimeve.
Piloti u tha se kishte kontaktuar me 911 – një numër urgjence – dhe vazhdoi të kërcënonte se do të përplasej qëllimisht me Walmart.