Home Lajme Aventura e re: Pas Shqipërisë, Kurti “përzihet” edhe në politikën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Aventura e re: Pas Shqipërisë, Kurti “përzihet” edhe në politikën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

0
Aventura e re: Pas Shqipërisë, Kurti “përzihet” edhe në politikën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Në fakt, vizita e tij i ngjan më shumë një historie të vjetër. Në vitin 2021, më saktësisht gjatë prillit të para dy viteve, Kurti qëndroi disa herë në Shqipëri, për të lobuar për degën e Lëvizjes Vetëvendosje në shtetin shqiptar. Madje, Kurti votoi në zgjedhjet e prillit të 2021, gjë e cila u kritikua ashpër e gjërësisht.

Tash Kurti duket se e ka nisur një ndërmarrje të re, duke marrë anë nga opozita, më saktësisht nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit dhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, dy politikanë që kundërshtojnë ashpër Ahmetin e BDI-së, partia e të cilit është pjesë e ekzekutivit në Maqedoninë e Veriut.

Flaka Surroi, opinioniste dhe gazetare veterane, e ka cilësuar si gabim shmangien e protokollit shtetëror nga ana e Kurtit gjatë vizitës në vendin fqinj. Madje, vizitën e Kurtit dhe ndërhyrjen e tij në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Surroi i është referuar si “aventurë”.

“Gabim shkuarja “si kryeminsitër” dhe shmangia e protokollit shtetëror të fqinjit që ndër të parët na ka njohur.

Kjo avanturë i ngjet asaj tjetrës, pjesëmarrjes në zgjedhjet në Shqipëri.

Kryeministër, tepër shumë probleme i ka Kosova që tash me u marrë edhe me problemet e të tjerëve.” – shkroi ajo.

Në lidhje me aventurën e tij në Shqipëri, duhet kujtuar fakti se përpjekja e Kurtit kundër Ramës ishte një dështim spektakular. VV-ja praktikisht më nuk ekziston në Shqipëri.

Ndërsa politilogu i njohur, Avdi Smajljaj, e ka kritikuar Kurtin për këtë vizitë, duke ironizuar me qeverisjen e tij në Kosovë.

“KM tregoju në Maqedoninë e Veriut le te krijojnë një komision ekzekutiv për shëndetësi edhe njo për arsim, sikurse te ne, le të na marrin shembull për të mirë.” – shkroi ai.

Ndërsa përkrahësit e Kurtit kanë filluar të shkruajnë në favor të kësaj vizite. Enis Sulstarova, aktivist i VV-së në Shqipëri, të cilin Kurti e kishte quajtur profesor, e ka cituar një fjalim të vjetër të Kurtit në lidhje me shqiptarët e Maqedonië së Veriut. Në këtë fjalim, Kurti i kishte cilësuar shqiptarët në Maqedoni të Veriut si “brengën e tij më të madhe”.

Ndryshe, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, deklaroi se nuk ka informacione për vizitën e kryeministrit Kurti në Tetovë dhe Çair. Në një intervistë për televizionin maqedonas Sitel, Osmani, tha se Kurti, me siguri të premten nuk vjen si kryeministër në RMV.

“Nuk kemi informacione zyrtare se vjen. Kështu që, me siguri nuk vjen si kryeministër. Shohim nëpër rrjetet sociale, ndonjë komunikim partiak, kështu që, me të vërtetë nuk kam informacione. Ne jemi shtet i lirë dhe mundet çdo kush të vijë.” – tha Bujar Osmani.

Sidoqoftë, kjo nuk është përpjekja e parë e Kurtit në Maqedoninë e Veriut. Kurti ishte përzier edhe më parë në rrjedhat politike të shqiptarëve në këtë vend, duke e përkrahur për president kandidatin Blerim Reka. Edhe kjo përkrahje nuk kishte sukses, pasi Blerim Reka nuk arriti të fitonte në garën për president të Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, nuk dihet se cili do të jetë ndikimi i Kurtit në politikën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ku që një kohë “sundon” Ali Ahmeti. /Nacionale/

Exit mobile version