Rifat Latifi dha dorëheqje nga posti i Ministritë të Shëndetësisë, pas pothuajse një viti që ushtroi këtë pozitë.
Kjo dorëheqje përveç reagimeve e komenteve të cilat lidheshin me arsyen që bënë që Latifi të largohet nga posti i ministrit, ngjalli reagime në lidhje edhe me atë se kush do ta pasojë atë në këtë post.
Një prej emrave që u lakua më së shumti nga ata për ta marrë këtë post, është ai i Haxhi Avdylit. Në lidhje me këtë ka reaguar edhe partia “Guxo”, pjesë e së cilës është Avdyli.
Së pari ishte Burim Meta, ai që përmes një postimi në Facebook, kërkoj që këtë post ta marrë nën drejtim partia e tij.
“Edhe sa Ministra te Shendetesise duhet te nderrohen, qe ky pozicion ne fund ti takoj GUXOs !?”, deklaronte Meta.
Përveç tij është edhe Donika Gërvalla, kryetare e “Guxo” ajo që ka thënë se Avdyli është një kandidat i shkëlqyer për postin e ministrit të Shëndetësisë.
“Unë mendoj që Partia Guxo ka një kandidat të shkëlqyer, mendoj që deputeti Haxhi Avdyli jo vetëm që do ti shërbente këtij institucioni…Nëse kryeministri Kurti do të jetë dakord, unë do t’ia bëjë këtë propozim. Prandaj shprehjet e mendimit individual të deputetëve janë shumë të mirë se ardhura. Unë mendoj që Burim Meta e ka pasur në mendje Haxhi Avdylin. Mua, Haxhi Avdyli më duket se është kandidati më i mirë i mundshëm”, ka thënë Gërvalla.
Megjithatë, duket që kjo pozitë nuk është në planet e Avdylit, pasi kështu ka deklaruar vetë ai në një koment në Facebook, ku ka thënë se ai nuk ka tentuar asnjëherë të bëhet Ministër i Shëndetësisë, dhe se është komod në pozitën e deputetit.
“Asnjëherë nuk kam tentuar dhe askush nuk po bën hajgare. Më shumë janë përmendje e insistim e te mediave e njerëzve dashamir. I falenderoj të gjithë ata që kanë konsideratë që jam i denjë për atë pozite, po i nderuar Bujar unë jam komod në pozitën e deputetit dhe nga aty po mundohem të jap kontribut me aq sa po mundem e po di për shëndetësinë dhe proceset tjera. Respekte e mirupafshim”, ka thënë Avdyli.
