Në emisionin EURO n’T7, u diskutua plani ekonomik i LDK-së dhe qëndrimi i kësaj partie ndaj zhvillimeve ekonomike në Kosovë.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kritikoi ashpër qeverinë aktuale dhe kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tyre ndaj bizneseve dhe drejtësisë. Hoti tha se sjelljet dhe tendencat për të kontrolluar drejtësinë, si dhe përndjekjen e kundërshtarëve politikë, janë të papranueshme. Ai theksoi se këto veprime kanë bërë që bizneset të orientohen kah programi i LDK-së, i cili, sipas tij, është i vetmi që garanton zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
“Komuniteti i bizneseve ka intuitën më të zhvilluar për politikat ekonomike dhe drejtimin e ekonomisë. Nuk janë gabuar kurrë në këtë intuitë, dhe as tani nuk do të mashtrohen. Ata e dinë se reforma e vetme fiskale në Kosovë u bë gjatë qeverisjes Mustafa, kur unë isha ministër. Që atëherë nuk ka pasur asnjë ndryshim në politikat fiskale,” deklaroi Hoti.
Ish-kryeministri kritikoi gjithashtu propagandën e Qeverisë Kurti ndaj bizneseve kryesore në vend, duke theksuar se ato janë shtylla kryesore e ekonomisë.
“Më vjen keq që kryeministri dhe partia e tij po i portretizojnë bizneset si oligarkë, duke harruar se janë ato që punësojnë mijëra qytetarë dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit,” shtoi ai.
Hoti premtoi se me ardhjen e LDK-së në pushtet, qasja ndaj bizneseve do të ndryshojë rrënjësisht, duke i trajtuar ato si partnerë të zhvillimit ekonomik, e jo si kundërshtarë.