12 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

“Autonomi dhe Federalizim” – Shqetësimet e Opozitës për draft-statutin e Asociacionit

- Advertisement -

Partitë opozitare në Kosovë para, e sidomos pas pranimit zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Bashkimi Evropian, kanë ngritur shqetësime serioze për atë se çfarë përmban drafti – të cilin Kosova, përkatësisht kryeministri Albin Kurti, e ka pranuar në parim – i këtij mekanizmi.

Duke shprehur shqetësimet e tyre, opozita, konkretisht Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë thënë se drafti i Asociacioni përmban autonomi të zgjeruar për komunitetin serb në Kosovë, madje sipas tyre ka tendencë drejt federalizmit.

Çka konkretisht tha opozita për draft-statutin?

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, këtë të shtune ka thënë se draft-statuti i Asociacionit është një autonomi e zgjeruar territoriale me tendencë drejt federalizmit, derisa konfirmoi edhe takimin me Presidenten Vjosa Osmani, e cila do ta ftojë opozitën për të diskutuar për këtë çështje.

Këto komente, Abdixhiku i bëri pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së këtë të shtune, kjo pak ditë pasi që partia që ai udhëheqë pranoi draftin e Asociacionit nga Bashkimi Evropian.

“Natyrisht se po”, konfirmoi ai takimin me Osmanin, “por këto qëndrime që po i bëj publike, do t’i bëj edhe në atë takim”.

“Pra, për LDK-në, ndonëse është ende lexim i imi si kryetar i partisë, ne do të presim kryesinë për të marrë qëndrimin përfundimtar, por për LDK-në draft-statuti është një autonomi e zgjeruar territoriale me tendencë drejt federalizmit”.

Abdixhiku bëri me dije se draftin që e ka pranuar nga ndërmjetësi, këtë rast BE, do t’ia dorëzojë kryesisë së partisë, derisa theksoi se deri të premten LDK-ja do të dalë me qëndrim zyrtar rreth kësaj çështje.

Ndërsa, më 6 dhjetor, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se draft-statuti i Asociacionit është shqetësues.

“I gjithë dokumenti është shqetësues, logjika e dokumentit është shqetësuese, janë disa pika që janë shumë domethënëse, siç është rasti i arbitrazhit me të cilin bije fuqia e cilitdo institucion ligjor në Kosovë”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për televizionin publik.

Pjesa të cilës i referohet Haradinaj, është neni 42 i draftit të Asociacionit, i cili flet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore.

Tek pika e parë e këtij neni, thuhet se çdo mosmarrëveshje ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore në lidhje me zbatimin ose interpretimin e këtij Statuti, i cili nuk mund të zgjidhet me negocim të drejtpërdrejtë ose me mjete të tjera, me kërkesë të secilës palë në mosmarrëveshje, do t’i referohet për zgjidhje një komisioni arbitrariteti.

Problem tjetër që e ka evidentuar kreu i AAK-së në këtë draft, është edhe preambula, për të cilën ai thekson se është e panevojshme dhe si e tillë, vlerëson ish-kryeministri, duhet të hiqet, përfshirë edhe Rezoluta 1244 (Rezoluta e OKB-së për Kosovën) që është në të.

Kritika për draft-statutin e Asociacionit ka pasur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përkatësisht kreu i kësaj partie Memli Krasniqi.

Krasniqi kishte thënë se ky draft-statut i Asociacionit “është pa njohje”, dhe prandaj, sipas tij, “kjo është super ‘Zajednicë’”, duke iu referuar këtij mekanizmi në gjuhën serbe, ashtu siç kryeministri Kurti preferonte që ta quante gjatë kohë sa ishte në opozitë, për të treguar kështu dëmin që i kanosej Kosovës në rast të implementimit.

“Ky tekst nuk jam i sigurt që e kalon testin e kushtetutshmërisë”, thoshte Krasniqi në një paraqitje televizive.

Pos opozitës, shqetësime për përmbajtjen e draftit ka ngritur edhe presidentja Vjosa Osmani.

Prandaj, në këtë kontekst, e para e vendit ka njoftuar se do të ftojë në takim opozitën, në mënyrë që të dëgjojë edhe shqetësimet e tyre për këtë çështje dhe të njëjtat t’i inkorporojë.

Nenet kryesore të draft-statutit të Asociacionit

Të shtunën e 11 nëntorit, për herë të parë, u publikua një draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin u tha se është ai që Kosova e ka pranuar.

Draft-statuti që emisarët evropiano-amerikanë ia sollën kryeministrit Albin Kurti në zyrë më 21 tetor.

Ky draft, përmban 45 nene dhe ndahet në shtatë kapituj.

Te neni 12, te pjesa e bashkëpunimit, thuhet se Asociacioni  do të ketë të drejtë të bashkëpunojë, brenda fushave të kompetencave të anëtarëve të vet, me komunat dhe institucionet, “duke përfshirë agjencitë qeveritare në Serbi”.

Një bashkëpunim i tillë, theksohet aty, mund të marrë formën e ofrimit nga institucionet serbe të asistencës financiare dhe teknike, duke përfshirë pajisjet, në zbatimin e kompetencave komunale.

Ndërsa, parashihet që donacionet e mallrave dhe pajisjeve nga Serbia do të përjashtohen nga çdo taksë ose detyrim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Asociacioni mund të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacione të tjera vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet tjera, në pajtim me ligjin në fuqi”, thuhet aty.

Një nen tjetër që parasheh ky draft-statut i Asociacionit është ai i 14, ku bëhet fjalë për menaxhimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore të cilat, sipas këtij drafti, themelohen dhe financohen nga Serbia.

Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat janë financuar nga Serbia, sipas hapave të mëposhtëm:

“Në frymën e nenit 13 të Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ‘Rrjeti Arsimor Serb i Kosovës’ dhe ‘Rrjeti Shëndetësor Serb i Kosovës’ do të themelohen si ofrues privatë të arsimit dhe shëndetësisë nën përgjegjësinë e Asociacionit, duke theksuar Serbinë si kontribuuesi financiar, si dhe zyrat kryesore të këtyre ofruesve të vendosur aktualisht në Serbi”, thuhet në njërën nga pikat.

Sipas këtij drafti, në Kosovë, këta bartës do të kërkojnë të kenë statusin e arsimit privat të huaj dhe ofruesve të huaj privat të kujdesit shëndetësor. Asociacioni do të kërkojë t’i regjistrojë këta ofrues dhe të marrë licenca operimi në përputhje me ligjin në fuqi.

“Çështjet që kanë të bëjnë me planprogramin arsimor do të rregullohen në pajtim me ligjin në fuqi. Me licencimin, Asociacioni do të menaxhojë funksionimin e këtyre ofruesve të arsimit dhe shëndetësisë”.

Pos këtyre, aty theksohet se Asociacioni do të angazhohet me Qeverinë e Kosovës me qëllim që këto shërbime të lirohen nga doganat dhe të gjitha detyrimet tjera për aq kohë sa ofrojnë shërbime në interes publik dhe në përputhje me këtë Statut.

Në territorin e anëtarëve të Asociacionit, parasheh ky draft, këta ofrues mund të përdorin objektet publike të krijuara dhe të bashkë-financuara nga Serbia për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.

Kurse te neni 42 bëhet fjalë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore.

Te pika e parë e këtij neni, thuhet se çdo mosmarrëveshje ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore në lidhje me zbatimin ose interpretimin e këtij Statuti, i cili nuk mund të zgjidhet me negocim të drejtpërdrejtë ose me mjete të tjera, me kërkesë të secilës palë në mosmarrëveshje, do t’i referohet për zgjidhje një komisioni arbitrariteti.

Ky komision, pohohet aty, do të përbëhet nga një arbitër që do të emërohet nga secila palë në mosmarrëveshje dhe një arbitër tjetër që do të emërohet si kryetar i komisionit me konsensus të palëve në mosmarrëveshje.

Mirëpo, nëse brenda tre muajve, secila palë në mosmarrëveshje nuk arrin të emërojë arbitrin përkatës ose palët në mosmarrëveshje nuk arrijnë të bien dakord për emërimin e kryetarit, ky arbitër ose kryetar, me kërkesën e secilës palë në mosmarrëveshje, “do të jetë emëruar nga Bashkimi Evropian”.

Madje, në draft theksohet se komisioni i do të krijojë rregullat e veta të punës dhe do të përpiqet të vendosë mosmarrëveshjet e tij brenda gjashtë muajve.

Sipas draftit të publikuar të shtunën, komisioni vendos për mosmarrëveshjen me dy të tretat e shumicës së arbitrave dhe se ky vendim do të pranohet nga palët në mosmarrëveshje si përfundimtar dhe i detyrueshëm, duke anashkaluar kështu Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ndërsa në nenin 43 parashihet që duke vepruar në emër të Asociacionit katër kryetarët e komunave të Kosovës Veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – do t’i ofrojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme listën e kandidatëve për emërim si Komandant Rajonal i Policisë së Kosovës, siç specifikohet në nenin 9 të Marrëveshjes së Parë, çka nënkupton se komandanti i policisë në këtë rajon duhet të jetë serb, pra përzgjidhet etnikisht.

Emri zyrtar i këtij mekanizmi do të jetë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, ndërsa selia e tij do të jetë në Mitrovicën e Veriut.

Asociacioni, gjithmonë sipas këtij drafti, do të krijojë simbolet e veta zyrtare: flamurin dhe një stemë, ndërsa thuhet se vetëm simbolet zyrtare të Asociacionit, së bashku me simbolet shtetërore të Kosovës do të përdoren nga Asociacioni, në përputhje me Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore.

Sa i përket autoriteteve qendrore të Asociacionit, janë Kryetari, Kuvendi, Qeveria dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, ndërsa organi suprem i këtij mekanizmi do të jetë Kuvendi. /AlbanianPost/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit