Dëshmia e progresit ekonomik kërkon më shumë sesa thjesht prezantim shifrash; rritje të fuqisë blerëse dhe investimeve që prekin jetën e qytetarit. Megjithatë, ekonomia, sipas ‘doktrinës’ së ish-qeverisë Kurti, është reduktuar thjesht në një lojë numrash nominalë, të cilët për t’u dukur bindës, ilustrohen me kapacitete stadiumesh dhe autobusë, duke e kthyer diskursin në krahasime triviale.
Kjo duket të jetë strategjia që kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje – njëkohësisht ish-kryeministri i mandatit të kaluar – zgjodhi t’ua servirë sërish qytetarëve në tubimet elektorale, tashmë për të dytën herë pas fushatës së 9 shkurtit.
Në pothuajse secilin tubim e intervistë, duke folur nga një realitet paralel ku Kosova ‘nuk e ka ndjerë as inflacionin e paprecedentë’, i cili i është kthyer spirales negative edhe pasi pati zbutje të krizës globale, Kurti u përpoq u shpjegonte të pranishmëve “mrekullinë” ekonomike që po jetojnë.
Në këtë orvatje për të “thjeshtuar” realitetin ekonomik, Kurti e reduktoi formulën e suksesit shtetëror në vetëm pesë fjalë: “Nanat, fëmija, veriu, ushtria, bujqësia.”
“Gjatë këtyre më pak se pesë vjet qeverisje, kanë qenë pesë çështje, kategori kryesore që i kemi pasur në fokus, por edhe që kemi shënuar rezultatet më të mëdha, e që mund të përmblidhen me pesë fjalë; nanat, fëmija, veriu, ushtria, bujqësia. Ka qenë e mundshme që të rishpërndajmë mirëqenien, mbështetjen financiare për nëna e fëmijë sepse është rrit ekonomia.” – u shpreh Kurti.
Spektakli i vërtetë filloi me numrat e Bruto Produktit Vendor (BPV). Me një logjikë që të kujton deklaratat e fundit virale të bashkëpartiakut të tij, Agim Bahtiri, mbi “qarkullimin e BPV-së”, Kurti u mburr se si ekonomia është rritur nga 7 në 11 miliardë euro.
“Për çdo vit ia kemi shtu ekonomisë nga 1 miliardë euro. Ata që kanë qenë para nesh është dashtë 3 vjet për 1 miliardë. Kjo i bie që nga rritja ekonomike, me qeveritë pararendëse kemi qenë 3 herë më të shpejtë. Kjo i bie që ata e kanë mbajt shtetin si një automjet në të parën e ne në të tretën.” – tha ai.
Sipas narrativës së tij, ekonomisë i shtohet fiks 1 miliard në vit. Ajo që Kurti përjashtoi qëllimshëm në këtë ekuacion është inflacioni rekord që Kosova përjetoi përgjatë udhëheqjes së tij, duke e bërë fitimin real të punëtorëve edhe më të vogël pavarësisht rritjes së pagave.

Burimi: Edison Jakurti / ASK.
Kulmi i absurdit u arrit kur Kurti vendosi të vizualizojë atë që ai pretendon si “85,000 të punësuar të rinj”. Kjo shifër, të cilën vetë Kurti në një moment sinqeriteti (apo pakujdesie) në një intervistë në RTK e kishte pranuar se përfshin masivisht formalizimin e vendeve ekzistuese të punës dhe jo domosdoshmërisht hapjen e vendeve të reja, në Kaçanik u shit si triumf i pastër.
“350 mijë të punësuar kanë qenë në pranverën e vitit 2021 kur unë e kam marrë detyrën, e sot janë 435 mijë të punësuar. Pra, 85 mijë të punësuar më shumë apo 24 për qind më shumë. 85 mijë të punësuar i bie edhe pak më shumë se 6 stadiume të mbushura përplot Fadil Vokrri, ose nëse e pjesëtojmë për numrin e ditëve i bie mesatarisht e përafërsisht 50 të punësuar në ditë. Pra, 1 autobus të punësuar në ditë.” – tha Kurti.






