Pas shtatë ditësh grevë, transportuesit nga Podujeva kanë vendosur të përfundojnë protestën e tyre, pasi kanë arritur një marrëveshje me Komunën e Prishtinës.
Greva e transportuesve kishte filluar si reagim ndaj një vendimi të Komunës që ndalon futjen e autobusëve ndërurbanë brenda qytetit të Prishtinës.
Marrëveshja e arritur ka ndikuar që autobusët nga Podujeva të vazhdojnë të funksionojnë normalisht. Sipas marrëveshjes, autobusët do të udhëtojnë deri te “Xhamia e Llapit” dhe do të kalojnë nga rruga “Zagrebi” për të arritur në Stacionin e Autobusëve.
Po ashtu, transportuesit janë pajtuar të paguajnë gjobat që u janë vendosur nga Policia për parkimin e autobusëve para objektit të Komunës gjatë periudhës së grevës.