23.4 C
New York
Thursday, September 25, 2025

Buy now

Auditimi: Sistemi i tatimit në pronë me të dhëna jo të sakta dhe të pabesueshme

- Advertisement -

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka realizuar auditimin e Teknologjisë së Informacionit “Sistemi i Informacionit të Tatimit në Pronë (SITP)” për periudhën 2024 – korrik 2025, i cili ka vlerësuar nëse ky sistem siguron të dhëna cilësore, të sakta.

Rezultatet e auditimit tregojnë se ky sistem nuk garanton plotësisht ofrimin e të dhënave cilësore, të sakta, të plota dhe të besueshme. Dobësitë në zhvillim dhe funksionim të sistemit, mungesa e procedurave të standardizuara për testim dhe aprovime, si dhe kontrollet e pamjaftueshme, kanë ndikuar negativisht në integritetin e të dhënave dhe menaxhimin efikas të tatimit. Kjo ka rritur rrezikun për pasaktësi në llogaritje, shpërndarje të gabuar të pagesave dhe vështirësi në identifikimin e saktë të tatimpaguesve.

Sipas auditorit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e cila menaxhon SITP nuk siguron që zhvillimet e realizuar në këtë sistem arrijnë qëllimin, pasi ka mungesë të procedurave për kontrolle të brendshme funksionale lidhur me menaxhimin e ndryshimeve dhe trajtimit të kërkesave për zhvillim.

“Mungesa e kontrolleve hyrëse në aplikacion për SITP ka krijuar rreziqe për saktësinë e të dhënave dhe integritetin e shërbimeve. Auditimi ka evidentuar mangësi në ndërlidhjen e sistemit me regjistrin e të dhënave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, si dhe ndërlidhjes me Sistemin e Anketimit. Kjo ka rezultuar me të dhëna të pasakta për tatimpaguesit dhe pronat. Mangësitë në kontrollet e përpunimit kanë shkaktuar mos shpërndarjen e pagesës në mënyrë proporcionale dhe në borxhe të pasakta për qytetarët duke i dëmtuar me ndëshkime dhe interes.

Po ashtu SITP ka mangësi në regjistrimin e pagesave duke mos regjistruar datën e saktë të tyre, nuk e pasqyron gjendjen reale të faturës si dhe nuk ka pasqyrim dhe zbatim të saktë të kërkesave ligjore dhe rregullative. Për rrjedhojë qytetarët mund të penalizohen me interes pavarësisht pagesës së realizuar në kohë. Gjithashtu proceset manuale rrisin rrezikun e gabimeve dhe humbjes së të dhënave jashtë sistemit. Mangësitë në kontrollet e sigurisë bëjnë më të cenueshëm SITP ndaj keqpërdorimeve të sigurisë.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se Sistemi i Informacionit të Tatimit në Pronë ka transformuar administrimin e tatimit në pronë duke e bërë më të menaxhueshëm, por nuk garanton plotësisht të dhëna cilësore, të sakta, të plota dhe të besueshme.
Për të përmirësuar çështjet e identifikuara në këtë sistem, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 14 rekomandime.
Raportin e plotë të auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Sistemi i Informacionit të Tatimit në Pronë (SITP)”, e gjeni këtu: https://tinyurl.com/yt384vrh

Të ngjashme

Të fundit