Atletico Madrid ka fituar me rezultat të thellë 4-0 ndaj Barcelonës në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit, duke dhuruar spektakël, VAR dhe tension në fushë.
Ndeshja nisi keq për katalanasit, pasi Joan Garcia dërgoi topin në rrjetën e vet që në minutën e gjashtë, duke i dhënë epërsinë vendasve.
Antoine Griezmann dyfishoi shifrat në minutën e 14-të me një goditje të saktë brenda zonës, ndërsa Ademola Lookman shënoi të tretin pas asistimit të Julian Alvarez në minutën e 33-të.
Në kohën shtesë të pjesës së parë, Julian Alvarez vulosi dominimin e Atleticos me golin e katërt, duke shkuar në pushim me epërsi të thellë 4-0.
Barcelona tentoi të reagojë në pjesën e dytë dhe në minutën e 52-të gjeti rrjetën me Pau Cubarsin, por VAR-i anuloi golin për pozicion jashtë loje.
Tensioni u rrit edhe më shumë kur Eric Garcia u ndëshkua fillimisht me karton të verdhë, por pas rishikimit me VAR, gjyqtari Juan Martinez e përjashtoi me karton të kuq.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 3 mars në Camp Nou, por pas këtij 4-0, Atleticos i mjafton një rezultat modest për të shkuar në finale.


