Dy përballjet e para të natës së sotme në Ligë të Kampionëve kanë përfunduar me barazim.
Atalanta barazoi pa gola me Celtic, ndërsa Bayer Leverkusen u ndal nga Brest 1:1.
Berat Gjimshiti u rikthye në formacionin bazë te skuadra italiane pasi mungoi për një kohë për shkak të lëndimit, e në ndeshjen tjetër për befasi Granit Xhaka u pushua nga Xabi Alonso, duke e inkuadruar vetëm në pjesën e dytë.
Atalanta e dominoi tërësisht takimin, duke pasur shumë raste shënimi, por që çaluan në finalizim të rasteve.
Në 90 minuta nuk u realizua asnjë gol dhe takimi përfundoi 0:0.
Atalanta tani pas tri ndeshjeve ka pesë pikë, me një fitore e dy barazime. Celtic në anën tjetër ka katër pikë, me një fitore, një humbje dhe një barazim.
Në ndeshjen tjetër, Bayer Leverkusen udhëtoi në Francë për t’u përballur me Brest.
Skuadra franceze i shkaktoi shumë probleme kampionit në fuqi të Bundesligës.
Florian Wirtz shënoi golin e parë në këtë takim, duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 24-të.
Reagimi ishte i shpejtë nga vendasit, pasi barazuan rezultatin në minutën e 39-të me anë të Lees-Melou.
Deri në fund të takimit më nuk pati ndryshim në rezultat dhe takimi përfundoi me barazim 1:1.
Tani Leverkusen ka shtatë pikë, aq sa ka edhe Brest, dy prej 12 skuadrave që akoma nuk kanë pësuar humbje në formatin e ri të Ligës së Kampionëve.