“Ata më kërkonin falje, kurse më të tjerët nuk shkonim mirë”, Diego Costa tregon dallimet mes Puyol-Pique dhe Ramos-Pepe

- Advertisement -

Diego Costa ka zbuluar disa detaje interesante nga rivalitetet e ashpra gjatë sezonit historik 2013/14, kur Atletico Madridi arriti të shpallej kampion në La Liga.

Duke folur në një podcast me ish-bashkëlojtarin Mario Suarez, sulmuesi me temperament të zjarrtë ka bërë krahasimin mes dueleve ndaj Barcelonës dhe Real Madridit, konkretisht përballjeve me Puyol e Pique në njërën anë, dhe Ramos e Pepe në anën tjetër.

Costa tregoi se përballjet me Barcelonën ishin jashtëzakonisht të vështira, kryesisht për shkak të dominimit të tyre në lojë.

“Ata më godisnin dhe pastaj kërkonin falje. Unë u thosha: ‘Mos kërkoni falje, ju lutem. Dua të më shani’. Ishte shumë e vështirë të luaje kundër Barcelonës; gjithçka që bëje ishte të mbroheshe”.

Ndryshe ishte atmosfera në përballjet me Real Madridin, ku tensioni ishte më i hapur dhe më i drejtpërdrejtë.

“Nuk shkonim mirë në fushë. Janë burra, donin të mbronin ekipin e tyre dhe unë doja të mbroja timin. Gjithçka mbetej në fushë. Në fund, gjithmonë kërkonim falje”.

Ai e përmblodhi dallimin me një fjali të thjeshtë: “Puyol dhe Pique më godisnin dhe kërkonin falje; me Pepe dhe Ramos në fushë nuk shkonim mirë, pastaj kërkonim falje”.

Sulmuesi pranoi gjithashtu se ndeshja vendimtare për titullin në Camp Nou ishte prioriteti i tij absolut atë sezon, madje mbi finalen e Ligës së Kampionëve.

“Duhej ta shtyja veten për të luajtur kundër Barcelonës, kishim luftuar aq shumë për ta fituar atë ligë… Nuk më interesonte finalja e Ligës së Kampionëve”.

Megjithatë, pavarësisht humbjes në finalen ndaj Real Madridit, Costa e sheh atë moment si pikë kthese për klubin.

“Nga ajo finale marr anën pozitive: ishim aty dhe bëmë një hap përpara. Atletico është ajo që është sot për shkak të asaj”, përfundoi ai.

Të ngjashme

Të fundit