Për këto deklarime të Chollet, në një përgjigje për tëvë1, ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se Vetëvendosje ose duhet të kundërshtoi SHBA-në ose të punoi me ta për themelimin e asociacionit.
“Përfaqësuesit amerikanë e kanë theksuar këtë gjithherë. Prandaj edhe e kishim inkorporuar në vitin 2015 kriterin që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë përputhshmërinë e statutit të Asociacionit me Kushtetutën. LVV e ka kundërshtuar Zajednicën 2013/2015; i ka marrë votat mbi këto kundërshtime, prandaj tani ose duhet ta kundërshtojë Amerikën ose do të ulet së bashku me ta për të kërkuar zgjidhje”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, kryeministri aktual Albin Kurti, tha se çështja e Asociacionit mund të akomodohet brenda marrëveshjes finale.
“Jemi në një moment kur flasim dhe diskutojmë për një marrëveshje të normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet. Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga zoti [Marty] Ahtisaari dhe nga zoti Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik. Fjalia e parë e atij plani, e asaj zgjidhjeje që është hartuar nga nga Ahtisaari dhe Rohan, thotë se Kosova duhet të jetë një shoqëri shumetnike”, ka deklaruar Kurti.
Njohësi i procesit të dialogut, Visar Xani, thotë se Qeveria e Kosovës tani ka lëvizje nga pozicioni i mëhershëm për çështjen e asociacionit.
“Ne po shohim ndryshime. Nga momenti i parë që fillimisht ka qenë Qeveria e Kosovës shumë kundër asociacionit, tani ka disa sinjale pozitive dhe disa ndryshime në pozicione dhe kjo mund të jetë një sinjal pozitiv që nuk do të kemi rezistencë sa i përket kërkesave të aleatëve strategjik për zbatim të marrëveshjeve”, vlerësoi Xani.
Përveç SHBA-së edhe BE po kërkon me ngulm nga Kosova që të fillojë punën për krijimin e asociacionit. /Teve1/